• Pikëpamja

STIGMA PËR SHËNDETIN MENDOR


Nëse ne si kulturë, jemi të gatshëm të pranojmë se të gjithë hasim në sfida jetësore, të cilat kanë potencial të ndikojnë negativisht në shëndetin tonë fizik, mendor dhe shoqëror dhe të kërkojmë ndihmën e duhur para se situata të keqësohet, ne mund të fuqizohemi që të kërkojmë këshillimin e duhur tek profesionistët e shëndetit mendor që na ofrojnë mjetet e duhura për ta përballuar situatën në fjalë.



Ilustrimi: Argjira Kukaj


Pavarësisht fakteve evidente se numri i personave me probleme me shëndet mendor rritet vazhdimisht, njerëzit ende hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale për shkak të stigmës rreth psikoterapisë apo rolit të psikologut/es. Edhe pse shumica e njerëzve e kanë më te lehtë të kërkojnë ndihmë kur ndjehen të sëmurë fizikisht ose kanë pasur një aksident dhe kanë pësuar një traumë fizike, shumica vuajnë në heshtje kur bëhet fjalë për çështje të shëndetit mendor. Ndonëse Kosova nuk posedon statistika të sakta, profesionistë shëndetësor thonë se personat që kanë probleme me shëndetin mendor, janë në rritje.

“Problemet me çrregullime mendore në Kosovë, sipas disa prej statistikave aktuale, renditen me rreth 35 për qind të sëmundjeve të përgjithshme”, thuhet në një shkrim të publikuar në “Radio Evropa e Lirë” në vitin 2016, me titull “Rritet numri i personave që kërkojnë ndihmë për shëndetin mendor”.

Shëndeti mendor përfshinë mirëqenien tonë emocionale, psikologjike dhe sociale. Ai ndikon në mënyrë se si mendojmë, çfarë ndiejmë dhe veprojmë. Ndihmon gjithashtu në përcaktimin se si e përballojmë stresin, ndërveprojmë me të tjerët dhe bëjmë zgjedhje. Pra shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës, që nga fëmijëria dhe adoleshenca deri në moshë të rritur. Ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor. Këtu hyjnë faktorët biologjik, siç janë gjenet apo kimia e trurit, eksperiencat jetësore, si trauma apo abuzimi dhe historia familjare me probleme të shëndetit mendor.


Edhe pse shumica prej nesh gjatë jetës përballemi me sfida që shkaktojnë ankth, depresion ose dyshim në vete të cilat ndikojnë negativisht në ndonjë aspekt të jetës sonë, siç mund të jetë puna ose marrëdhëniet tona, ne ende hezitojmë ta adresojmë këtë. Akoma duket se ekziston një mendim që një person është "i/e dobët" nëse pranon se ka kaluar nëpër gjendje të tillë, ose kërkon ndihmë kur ndjehet i/e mbingarkuar ose i/e pasigurt se çfarë drejtimi të marrë në jetë ose si të zgjidhë një problem. Shumë individë kërkojnë përgjigje nga familja dhe miqtë, por kur rrethi nuk është në gjendje të sigurojë ndihmën ose udhëzimin e nevojshëm, personi ndihet i vetmuar, i izoluar dhe i hutuar.

Nëse ne, si kulturë, jemi të gatshëm të pranojmë se të gjithë hasim në sfida jetësore, të cilat kanë potencial të ndikojnë negativisht në shëndetin tonë fizik, mendor dhe shoqëror dhe të kërkojmë ndihmën e duhur para se situata të keqësohet, ne mund të fuqizohemi që të kërkojmë këshillimin e duhur tek profesionistët e shëndetit mendor që na ofrojnë mjetet e duhura për ta përballuar situatën në fjalë. Duhet guxim që të pranojmë se kemi nevojë për ndihmë, sepse është fuqizuese të përballemi me një problem që na shqetëson, qoftë ky një problem që ka të bëj me sjelljet, mendimet a po ndjenjat tona. Megjithatë, edhe nëse personalisht merr guximin për të kërkuar ndihmë, shpeshherë e gjen veten të paragjykuar nga rrethi. Një gjë e tillë i kishte ndodhur Fjollës, e cila para tre vitesh, asokohe 16 vjeçare, kishte vendosur që të kërkojë ndihmën e psikologut. Por mënyra se si ishte gjykuar e kishte bërë të ndihej keq.


“Kur isha 16 vjeçare vendosa ta vizitoj një psikolog, derisa po prisja me nënën një grua më pyeti se për çfarë arsye isha aty dhe kur kuptoi se isha për arsye këshillimi u habit dhe i tha nënës time se jam shumë e re për të vizituar një psikolog”, ka thënë Fjolla, për të cilën kjo përvojë e shtyri që të studiojë psikologjinë.


E gjithë kjo na lë të kuptojmë se sa duhet të punojmë në rritjen e nivelit të edukimit dhe vetëdijes sa i përket rëndësisë së shëndetit mendor dhe rolit të psikologut/es për ta luftuar stigmën rreth shëndetit mendor. Ashtu siç çdo aspekt i tjetër i mirëqenies individuale që duhet të trajtohet, njëjtë duhet t’i qasemi edhe mirëqenies tonë mendore. Këtu është i rëndësishëm edhe roli i psikologut/es ku varësisht prej shqetësimit tonë, mund të drejtohemi tek ata/ato. Psikologët/et dallojnë në bazë të fushës së studimit të tyre, të cilët ndahen në shëndetësor, social, zhvillimor, neuropsikologjik, klinik, kërkimor. Disa punojnë drejtpërdrejt me klientë dhe disa jo. Në rastin e adresimin e çështjeve të shëndetit mendor mund të referohemi tek psikologu/ia klinik apo këshillues, të cilët/at ofrojnë një mjedis të sigurt që një person t’i shpreh lirshëm ndjenjat e tij/saj dhe të merr ndihmën adekuate.

Psikologët e këshillimit punojnë me klientë individualë të të gjitha moshave, siç janë fëmijët që kanë probleme të sjelljes; adoleshentët me vështirësi në shkollë, orientim në karrierë, probleme me abuzim të substancave; depresion, ankth, probleme familjare dhe shumë çështje tjera.

Prandaj është shumë e rëndësishme që ne si shoqëri të krijojmë një mjedis të sigurt ku secili/a ndjehet i/e lirë dhe rehat për të kërkuar ndihmë rreth shqetësimeve të tyre pa u ndjerë të stigmatizuar.

Duhet të investohet në programe vetëdijesimi rreth rëndësisë së shëndetit mendor, uljes së stigmës dhe të ofrohet një qasje e lehtë tek psikologu/ia duke ofruar profesionistë te shëndetit mendor në shkolla, komunitet, qendra të shëndetit mendor, te shëndetësisë familjare dhe institucione tjera. Shëndeti mendor është qenësor.





Mbi autoren: Jonë Maliqi është një vajzë 18 vjeçare e cila vijon studimet në Universitetin e Prishtinës.



Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




1,048 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon