• Pikëpamja

SI NDIKOHEN GRATË PREJ NDRYSHIMEVE KLIMATIKE?

Updated: Jun 15


Shtete si Kosova, e kanë më të vështirë të përballojnë pasojat shkatërruese të ndryshimeve klimatike, kjo sepse i kemi mundësitë e kufizuara për të parandaluar e reaguar ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Meqenëse, një pjesë e popullsisë, sidomos ajo rurale, varen nga bujqësia, ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë humbje të mëdha dhe kësisoj të mos ketë mundësi për përfitime nga bujqësia. Prej problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet Kosova, në prizmin e ndryshimeve klimatike, ndikimin më të madh ka furnizimi i pamjaftueshëm me ujë.



Ilustrimi: Argjira Kukaj


Probleme si moti ekstrem, rritja e nivelit të deteve, rreziqe shëndetësore dhe degradimi i ekosistemeve shpesh zënë titujt kryesor të mediave botërore por jo mjaftueshëm sa për të kuptuar përmasat e ndikimit të tyre në jetët tona. Përmes të dhënave të paleoklimatologjisë, ne kemi ide për klimën që ka mbizotëruar në planetin tonë edhe para miliona viteve dhe tani ne dimë se planeti ynë ka kaluar nëpër periudha të ftohta dhe të ngrohta. Këto janë shkaktuar prej faktorëve natyror si intensiteti i rrezatimit diellor, shpërthimet vullkanike; planeti ka aftësi të rikuperoj vetveten deri në një masë të caktuar. Në këtë rast hyjnë në lojë, shkaktarët antropogjen të ndryshimeve klimatike, sidomos emitimi enorm i gazrave serrë i gjeneruar si rezultat i veprimtarive tona si: djegia e karburanteve fosile, shpyllëzimi, përdorimi i plehërave, blegtoria, etj.

Prandaj falë dëmit që ne i shkaktojmë mjedisit jemi vetë ne ata që përballemi për çdo ditë me ndotje të formave të ndryshme. Të gjitha këto prekin secilin/en prej nesh në një mënyrë ose tjetër, megjithatë grupet e margjinalizuara, në këtë rast gratë, janë ato që ndikohen më së shumti nga ndryshimet klimatike. Ky është edhe një prej shqetësimeve kryesore të ekofeminizmit, teori relativisht e re ne mesin e teorive feministe. Ekofeminizmi bën paralelizimin e shkatërrimit të natyrës me shtypjen e grave, dhe arsyeton se të dyja këto janë si pasojë e pikëpamjes antropocentrike, ideja se njeriu është qenie dominante.

Mirishahe Syla, njohëse e çështjeve gjinore, thotë se ne kemi tendencë t`i zbërthejmë diferencat në një hierarki vlerash - t`i konsiderojmë disa kategori si superiore dhe disa si inferiore.


“Kështu kthehemi te ideja që një kategori duhet të dominojë një tjetër: qeniet njerëzore që e dominojnë e e eksploatojnë botën jo-njerëzore, burrat që dominojnë gratë – është ky problemi që çon tek të dyja, tek padrejtësia sociale dhe dekonstruktimi i natyrës”, ka thënë Syla.

Për të sqaruar lidhshmërinë në mes ndryshimeve klimatike dhe shtypjes së grave, mund të marrim shembuj sidomos të grave në vendet në zhvillim. Në Afrikën Qendrore, ku liqeni Çad po thahet gjithnjë e më shumë, janë gratë ato të cilat detyrohen të ecin gjithnjë e më shumë për të grumbulluar ujë të pijshëm, rrugëtim ky i cili mund tua rrezikoj atyre edhe jetën. Sipas të dhënave të marra nga UN, janë gratë ato qe detyrohen më shumë të migrojnë, pasi që shume prej tyre humbin tokat si pasojë e përmbytjeve. Këto i kanë edhe si burime të vetme jetese. Prandaj shpesh janë gratë ato që jetojnë në varfëri, për shkak se paguhen më pak, nuk kanë të drejt prone edhe pse janë ato të cilat prodhojnë 60 – 80% të ushqimit në shtetet në zhvillim. Është vërejtur se njëkohësisht me shtimin e rreziqeve të lidhura me ndërrimin e klimës duke përfshirë edhe faktorët ekonomik, gratë rrezikohen më tepër prej dhunës në familje, stresit emocional, shkallës së lartë të mortalitetit. Sidoqoftë, vendet në zhvillim, siç është Kosova, janë më të ndikuara. E sidomos nëse e konsiderojmë edhe potencialin për zhvillim bujqësor në Kosovë.

Shtete si Kosova, e kanë më të vështirë të përballojnë pasojat shkatërruese të ndryshimeve klimatike, kjo sepse i kemi mundësitë e kufizuara për të parandaluar e reaguar ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Meqenëse, një pjesë e popullsisë, sidomos ajo rurale, varen nga bujqësia, ndryshimet klimatike mund të shkaktojnë humbje të mëdha dhe kësisoj të mos ketë mundësi për përfitime nga bujqësia. Prej problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet Kosova, në prizmin e ndryshimeve klimatike, ndikimin më të madh ka furnizimi i pamjaftueshëm me ujë. Sipas të dhënave të marra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 rreth 86.31 % e popullsisë së Kosovës është furnizuar me ujë nëpërmjet sistemit publik të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujit, ndërsa 13.69% e popullsisë nuk ka pasur qasje në shërbimin e ujësjellësit publik. Në Gjilan, vitin e kaluar, banorët kanë mbetur pa ujë si pasoj e rënies së nivelit të ujit në liqenin e Përlepnicës. Në disa vende është ndalë tërësisht kurse në tjerat shtypja ka qenë aq e ulët sa nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë atë. Ata më përpara e kanë përdorur ujin nga çezmat, por si pasoj e mungesës u detyruan të blinin atë në shishe. Shpesh banorët janë detyruar të furnizohen me ujë nga disa puse në fshatin Pasjan dhe në kampin Monteith. Gjatë dimrit janë detyruar edhe ta ngrohin ujin në stufë dhe ta mbledhin atë në kofe për ta ruajtur. Punë të cilat zakonisht i kanë kryer gratë.


Sipas informacioneve që kam marrë nga disa banorë të Vushtrrisë, ata kanë mungesë të ujit të pijshëm, pavarësisht se ujë ka mjaftueshëm. Problemi qëndron te fshatrat në periferi të qytetit, pasi që në qytet është i instaluar ujësjellësi. Shumica e banorëve kanë bunare, të tjerët shfrytëzojnë disa burime për të marrë ujë. Mirëpo, rrezikohen prej ndotjes së ujit, pasi që uji i lumit Sitnica ka nivel aq të lartë të ndotjes sa që ka filluar të depërtoj edhe në bunare. Lum ky në të cilin banorët në periudhën e para luftës edhe janë larë, kurse tani është e pamundur të kalohet andej për shkak të kundërmimit.

Duke marrë parasysh këto të dhëna dhe faktin se vitet e fundit për shkak të reduktimit të reshjeve ka rënë edhe sasia e ujërave nëntokësore, gratë janë ato që shpenzojnë shumicën e kohës në menaxhimin e resurseve natyrore dhe rrezikohen në mënyra të ndryshme. Kohë të cilën përndryshe do të mund ta shfrytëzonin për zhvillim personal dhe jo vetëm. Megjithatë te ne ka mungesë të dhënave, të cilat marrin parasysh perspektivën gjinore. Këto statistika duhet të mblidhen sepse do na ndihmonin për të kuptuar situatën e grave dhe burrave në shoqërinë tonë. Grumbullimi i të dhënave të tilla ka për qëllim informimin e publikut dhe mediave, ngritjen e vetëdijes kolektive, inkurajimin e ndryshimit të shoqërisë, reduktimin e stereotipave gjinore, nxitjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.






Mbi autoren: Andrra Zhjeqi, 22 vjeçe, Prishtinë, studente në drejtimin Ekologji dhe mbrojtje e mbjedisit.






Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).



© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon