• Pikëpamja

SHQIPTARËT DHE SERBËT PO I BASHKON KULTURA DRAG

Updated: Jun 15


Kultura drag, në fakt, përveç historisë që po bën mes këtyre dy popujve, ka lënë edhe shenja të tjera mjaft të rëndësishme në histori, e sidomos në historinë e komunitetit LGBTIQ+. Drag queens (mbretëreshat drag) janë artistë, kryesisht meshkuj dhe/apo burra, që përmes ekzagjerimit të veshjeve dhe makeup-it, karakteristika kryesisht të përcaktuar për vajza/gra, i sfidojnë rolet e stereotipat gjinore, kryesisht për argëtim.






Ilustrimi: Argjira Kukaj


Kosova dhe Serbia, si dy shtete fqinje, historikisht njihen për raportet e tyre të acaruara.

Njihen për luftërat mes tyre, për dëmet që i kanë shkaktuar njëra-tjetrës, për dramën politike etj. Përkundër krejt kësaj, mes tyre ka pasur edhe bashkëpunime, për të cilat shumë pak, për të mos të thënë hiç, flitet nga të dy palët. Në të vërtetë, arti po tenton t’i bashkoj këta dy popuj, sidomos viteve të fundit. Festivali “Mirëdita, dobar dan”-- i cili ka synim përmirësimin e raporteve Kosovë-Serbi përmes promovimit të kulturës dhe artit – ka qenë një prej hapave të parë bashkëpunues. Dy viteve të fundit, bashkëpunimi dhe shkëmbimi i vlerave artisitke, po mundësohet edhe përmes një kulture mjaft të re në Ballkan, kulturës drag.

Paradoksalisht, ky bashkëpunim po ndodh brenda një komuniteti mjaft të shtypur e të diskriminuar prej të dy popujve, komunitetit LGBTIQ+.

Kultura drag, në fakt, përveç historisë që po bën mes këtyre dy popujve, ka lënë edhe shenja të tjera mjaft të rëndësishme në histori, e sidomos në historinë e komunitetit LGBTIQ+.

Drag queens (mbretëreshat drag) janë artistë, kryesisht meshkuj dhe/apo burra, që përmes ekzagjerimit të veshjeve dhe makeup-it, karakteristika kryesisht të përcaktuar për vajza/gra, i sfidojnë rolet e stereotipet gjinore, kryesisht për argëtim.

Ani pse, kultura drag është hasur qysh në vitin 1870, në Ballkan ka arritur më vonë.

Pavarësisht kësaj, besoj që kultura drag po lulëzon me ritme të shpejta në Ballkan, respektivisht edhe në Kosovë.

Bashkëpunimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes kulturës drag, ndodhi gjatë manifestimit të mrekullueshëm të Belgrade Pride 2019. Dy drag queens nga Kosova dhanë një performancë të paharrueshme në mes te Beogradit me këngë shqipe.

Diva, një prej drag queens të para në Kosovë, e cila performoi në Beograd, tha se “publiku e ka prit shumë mirë performancën e drag queens kosovare, përkundër pritshmërive tona. Publiku ka qenë mjaft i madh në numër, por na kanë dhënë ngrohtësi dhe mikpritje të paharrueshme”.

Ajo shprehet shumë optimiste për të performuar prapë në Beograd, por dyshon nëse publiku serb do ta mirëpriste ndonjë performancë drag me vlera tradicionale shqiptare, gjegjësisht me muzikë popullore, veshje tradicionale etj.

Po ashtu, Diva do të dëshironte të performonte prapë në Beograd, meqë ajo beson në “motërzimin” e drag queens pa marrë parasysh etninë e tyre.


“Politika nuk mund të na ndan neve artistëve/drag queens. Ne duhet të bashkëpunojmë ndërmjet vete dhe ta zhvillojmë gjithmonë e më shumë kulturën drag, provimin e saj si dhe rëndësinë (mediatike) të saj”, tha Diva.

Disa muaj më vonë pas kësaj performance historike, edhe në Prishtinë u organizua një drag show, ku bashkoi prapë mbretëreshat drag serbe me ato kosovare. Një prej organizatorëve të këtij drag show-i, Jovan Ilic, u shpreh mjaft i kënaqur me performancat e drag queens kosovare në Beograd si dhe për bashkëpunimi mes këtyre dy popujve. Ai tha se do të ishte i gatshëm të ftonte drag queens nga Prishtina në ndejat drag që ai organizon, si DJ dhe aktivist.

Ostroga Mi, një drag queen nga Beogradi performoi me këngë shqipe në qytetin e Prishtinës me “djem shumë të bukur”, siç shprehet ajo. Sa i përket raportit mes Kosovës dhe Serbisë, ajo ka thënë se “gjeneratat e reja duhet ta bëjnë ndryshimin. Të dy shtetet duhet të lënë mbrapa historinë, por për mos ta harruar kurrë”.

“Arti nuk njeh kufi fizikë por as kufi të tjerë dhe flet të gjitha gjuhët. Do të më bëhej qejfi të shihja drag queens në Ballkan duke bashkëpunuar”, shtoi ajo. Mbretëresha drag u shpreh mjaft optimiste për skenën e kulturën drag në Ballkan, sidomos për llojshmërinë e drag queens në Beograd dhe në Zagreb.

Fjalë mjaft pozitive rreth bashkëpunimit të drag queens kosovare dhe serbe tha edhe Alexis VanderCUNT, një drag queen nga Beogradi. Bashkëthemeluesja e “The Haus of Plastics” tha se do të ishte shumë e lumtur të performonte në Prishtinë, sidomos për shkak të shoqërisë që ka këtu dhe për kafenetë e mira.

“Unë besoj se drag queens serbe dhe kosovare duhet të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë ura të bashkëpunimit, sepse nacionaliteti nuk duhet të jetë diçka që mund të na ndajë”, thotë VanderCUNT.


Mungesa e mbulimit mediatik nga mediat kosovare por dhe ato serbe, sipas tyre, mund të ketë ndodhur për shkak se nuk duan të shfaqin bashkëpunimin serbo-kosovar apo edhe ndoshta nuk kanë qenë mirë të informuar me kulturën drag dhe rëndësinë e këtij bashkëpunimi.


Po ashtu, nuk kam informacion të saktë nëse ka ndonjë drag queen serbe në Kosovë, por do të doja të shihja edhe drag queens të etnive të ndryshme brenda Kosovës duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën. Jam i bindur se ky bashkëpunim është vetëm çështje kohe dhe mezi pres ta shoh duke ndodhur.

Ky bashkëpunim mes drag queens nga Beogradi e Prishtina duket se po hapë rrugë të reja për të një ardhme më të mirë dhe më fqinjësore.

Arti, ashtu si gjithmonë, po ndikon në fuqizimin e një prej komuniteteve historikisht më të shtypura, komunitetit LGBTIQ+.

Pra, ky bashkëpunim përveç që po ndikon në fuqizimin e komunitetit LGBTIQ+, po ndikon edhe në afrimin mes dy etnive, që tash e disa vite vazhdojnë të jenë “të ashpra” ndaj njëra-tjetrës.








Mbi autorin: Agon Rexhepi, 19 vjeçar, student në Fakultetin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.




Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).



235 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon