• Pikëpamja

RINIA DHE LUFTA PËR NDRYSHIM


Rinia e Kosovës nuk po sheh prosperitet dhe zhvillim por korrupsion e nepotizëm. Ne duhet të përkrahim ndryshimin, duhet të kemi shumë kujdes se kujt ia japim “kokrrën” për të na përfaqësuar në Kuvend, që të ngrisë zërin për ne. Jemi nënshtruar mjaftueshëm dhe rinia e Kosovës e ka mundësinë të shpreh revoltën e tyre, t’i ndëshkojmë ata që po shuajnë ëndrrat tona.




Ilustrimi: Argjira Kukaj



Shumica e politikave qeveritare dhe diskursit publik zhvillohet duke zënë në gojë rininë dhe zgjidhjen e çështjeve rinore. Por, në fakt zgjidhjet e ofruara për të rinjtë/rejat, nuk kanë zgjidhur problematikat. Politikat qeveritare nuk kanë arritur ta fuqizojnë rininë dhe ta bëjnë më aktive në sferën publike dhe komunitare. Ka një iniciativë për të ndryshuar legjislacionin mbi rininë në mënyrë që mekanizmat rinor të jenë proaktive dhe efektive në përfaqësimin rinor. Të rinjtë i fajësojnë institucionet qeveritare dhe lokale për mos mbështetjen e rinisë. Humbja e besimit dhe rritja e dozës së fajësisë kundrejt institucioneve, bënë që të rinjtë/rejat të dekurajohen për të qenë aktiv dhe të angazhuar në çështje publike dhe komunitare. Pjesëmarrja e ulët e të rinjve në aktivitete vendimmarrëse, si konsultime publike, dëgjime buxhetore dhe forume të tjera, është tregues se zinxhiri funksionues dhe komunikues në mes të të rinjve dhe institucioneve publike është i shkëputur.

Zgjedhjet sapo ishin, premtimet, favoret e komunikimi ndaj rinisë arritën në kulminacion si asnjëherë tjetër; në çdo tubim zgjedhor, në çdo debat, e sidomos në komunikimet e rralla me rininë e patën gojën të mbushur plot me rini, përplot fjalë për fuqizimin dhe përmirësimin e kushteve për ne.


Duke parë afërsinë e tyre gjatë zgjedhjeve, shumë të rinj e të reja vendosin të ju bashkohen ndonjë subjekti politik, pasi që siç edhe na ka mësuar sistemi ynë, se në të ardhmen e afërt po u fitua pushteti do të jenë ndër të parët që do të shfrytëzojnë trendin e nepotizmit, të punësohen dhe të sigurojnë të ardhura, fillimisht “sa për me honger, e me pij” e më pastaj, me punë e angazhim (gjithmonë për partinë) me shpresë për ngritje në pozita të tjera pa marrë parasysh aspak komunitetin por vetveten në radhë të parë.

Anëtarësimi në një subjekt politik padyshim që është e drejtë e secilit/secilës, por, në një vend të izoluar, të shkatërruar ku ëndrrat e secilit qytetarë nuk guxojnë e as nuk kanë shpresë të shtrihen gjerë, me fajtorin kryesor politikat e deri sotme, a është ky vendimi i duhur, apo do të ishte më e mire gjetja e rrugëve alternative për të arritur deri te kërkesat tona?! Në një vend ku radhitet i fundit në PISA, në një vend ku vetëm 23% e të rinjve janë të kënaqur me sistemin e arsimit, në një vend ku 90% e të rinjve besojnë se notat mund edhe të blihen. Përpos arsimit, degradim tjetër apo mungesë hapësire tjetër kemi edhe në punësimin e të rinjve, ku jemi vendi me shkallën më të lartë të papunësisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, 58% e të rinjve besojnë se “është shumë e rëndësishme” të kesh të afërm për të gjetur një vend pune, 35% mendojnë se duhet të posedosh kartelë anëtarësie në një parti. Nuk dua të ndalem më shumë tek statistikat apo të dhënat, por, rinia e Kosovës nuk përkrahet në cilëndo sferë. Rinia e Kosovës nuk po sheh prosperitet dhe zhvillim por korrupsion e nepotizëm. Ne duhet të përkrahim ndryshimin, duhet të kemi shumë kujdes se kujt ia japim “kokrrën” për të na përfaqësuar në Kuvend, që të ngrisë zërin për ne. Jemi nënshtruar mjaftueshëm dhe të rinjtë e Kosovës e kanë mundësinë të shprehin revoltën e tyre, t’i ndëshkojmë ata që po shuajnë ëndrrat tona.





Mbi autorin: Aurel Haxhiu është student i shkencave politike në UBT



Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




172 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon