• Pikëpamja

REZILIENCA SI MEKANIZËM PËR PËRBALLJE ME VËSHTIRËSTIË


Edhe pse Kosova është një prej vendeve Evropës që ka të ndaluar me kushtetutë diskriminimin në bazë të orientimit seksual, shoqëria kosovare mbetet thellësisht tradicionale dhe madje armiqësore ndaj pakicave seksuale. Studimet e fundit nga organizata ndërkombëtare si UNHCR (2009, 2011) në Kosovë tregojnë se personat LGBT, të cilët janë viktima të diskriminimit dhe viktimizimit, shpesh nuk raportojnë rastet e tyre nga frika se mund të përjetojnë më shumë diskriminim.




Ilustrimi: Argjira Kukaj


Në psikologji, rezilienca i referohet aftësisë së të qenit në gjendje të mbijetojmë dhe të lulëzojmë përballë vështirësive. Ajo përfshin gjithçka që mund të çojë në një përshtatje më pozitive ndaj stresit dhe kështu të zbusë ndikimin e tij negativ në shëndet. Pra jo të gjithë personat që kanë përjetuar vështirësi apo fatkeqësi reagojnë njëjtë ose përjetojnë në shkallë të njëjtë problemet të shëndetit mendor që rezultojnë nga ekspozimi ndaj stresit dhe traumës. Në këtë aspekt, sipas D’Augellit (2002), personat homoseksualë, lezbike dhe biseksualë (LGB), veçanërisht të rinjtë, janë identifikuar si një grup në rrezik psikosocial, duke shfaqur një adaptim më të dobët psikologjik në krahasim me heteroseksualët, përkatësisht në nivelet më të larta të depresionit, ankthit, konsumimit të drogës dhe ideve për vetëvrasje (Hulumtuesit ndërkombëtare si Bell & Morgan, 2003; Huebner, Rebchook & Kegeles, 2004, tregojnë se përvojat e paragjykimeve, diskriminimit dhe viktimizimit janë shumë më të theksuara tek komunitetet pakicë të shoqërisë, ndër to edhe komuniteti i individëve lezbike, gej, biseksualë dhe transgjinorë (LGBT). Të rinjtë LGBT janë të cenueshëm, duke përjetuar më shumë ngacmime dhe viktimizim në shkollë, në shtëpi, në punë dhe në mjediset e komunitetit. Pra, problemet e shëndetit mendor kanë tendencë të jenë më të përhapura në grupmoshat më të reja (Bybee et al., 2003). Duke qenë më i ri, ky grup gjithashtu ka më shumë gjasa të punojë me sfidat për të dalë me miqtë, familjen dhe kolegët e punës, si dhe për t'u ballafaquar me forma të veçanta të diskriminimit për herë të parë të zbulimit të identitetit seksual.


Të rinjtë LGB edukohen dhe operojnë në një shoqëri që promovon heteroseksualitetin si opsionin e vetëm ''normal'' dhe të zbatueshëm sipas Chesir-Teran & Hughes 2009, duke përforcuar njëkohësisht normat strikte gjinore që margjinalizojnë ata që nuk janë në përputhje me sistemin binar gjinor. Si rezultat i këtyre normave sociale, të rinjtë LGB, që bien jashtë këtyre konstrukteve normative, shpesh janë subjekt i dhunës, diskriminimit dhe margjinalizimit, duke përfshirë ngacmimin seksual dhe sulmet fizike.

Edhe pse Kosova është një prej vendeve Evropës që ka të ndaluar me kushtetutë diskriminimin në bazë të orientimit seksual, shoqëria kosovare mbetet thellësisht tradicionale dhe madje armiqësore ndaj pakicave seksuale. Studimet e fundit nga organizata ndërkombëtare si UNHCR (2009, 2011) në Kosovë tregojnë se personat LGBT, të cilët janë viktima të diskriminimit dhe viktimizimit, shpesh nuk raportojnë rastet e tyre nga frika se mund të përjetojnë më shumë diskriminim. Organizata jo-qeveritare e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- YIHR (2011) shpjegon se diskriminimi në bazë të orientimit seksual është "një nga aspektet më pak të diskutuara të të drejtave të njeriut në Kosovë" dhe është "kryesisht i lënë pas dore", pjesërisht për shkak të kulturës dhe normave tradicionale/konservatore të Kosovës.

Duke marrë parasysh kontekstet e ndryshme në vendin tonë, fenomenet negative sociale si viktimizimi, diskriminimi dhe stigmatizimi janë shumë prezente në ambiente të ndryshme. Përballja me këto fenomene shpeshherë është sfidues, ku kërkon mekanizma të fortë ballafaques. Rrjedhimisht, rezilienca konsiderohet të jetë konstrukti i rëndësishëm psikologjik kur individi përballet me vështirësi. Kjo është përkrahur edhe në studimin e realizuar në korrik të vitit 2019 në kuadër të Universitetit të Prishtinës, i cili kishte për qëllim eksplorimin e konstrukteve të reziliencës të tilla si; optimizmi, mbështetja sociale, qëndrueshmëria emocionale, rregullimi emocional, në raport me viktimizimin tek personat me orientime seksuale të ndryshme. Nga të dhënat e këtij studimi ka dalur që: Personat heteroseksualë patën mesataren më të lartë në viktimizim, që krijoi supozimin se grupet e tjera kanë hezituar të raportojnë, gjë e cila është vërtetuar edhe në studimin e YIHR në vitin 2011, ku thuhet se personat LGBTI+ hezitojnë të raportojnë rastet e viktimizimit dhe diskriminimit për shkak të “diskriminimit të dyfishtë”. Gratë lezbike ishin të dytat në rendin me mesataren më të lartë në viktimizim në krahasim me grupet e tjera si gej dhe biseksualë. Gratë lezbike kishin mesatare më të lartë (M= 61.00) në konstrukte të reziliencës; optimizëm, mbështetje sociale, qëndrueshmëri emocionale dhe rregullim emocional në krahasim me grupet e tjera të studimit. Personat biseksualë gjithashtu raportuan optimizëm dhe rregullim të lartë emocional në krahasim me grupet e tjera.

Kjo pasqyron indirekt rëndësinë e kontekstit socio-kulturor në këtë fushë. Gjithashtu shërben si pikënisje e mirë për studime të tjera më të thella. Njëkohësisht implikon nevojën e madhe të avokimit për të drejtat dhe mirëqenien e komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Po ashtu është e rëndësishme që të investohet edhe në iniciativa të ndryshme që kanë për qëllim vetëdijesimin për rëndësinë e mirëqenies psikologjike ndër njerëz- të tilla si aktivitete me karakter psiko-edukativ, informues dhe sensibilizues. Përmes tyre mund të mësojmë si të kujdesemi për njëri-tjetrin në raste të vështira por edhe mbas tejkalimit të tyre të punojmë rreth ngritjes personale dhe kolektive.





Mbi autoren: Fatime Rrahmani është një vajzë 21 vjeçare nga Prishtina e cila ka përfunduar studimet për psikologji.






Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon