• Pikëpamja

RËNDËSIA E AKTIVIZMIT TË BURRAVE NË LUFTËN KUNDËR DISKRIMINIMIT GJINOR

Updated: Nov 5, 2019


Në një shoqëri e cila çdo ditë përballet me probleme të shumta, e barazia gjinore nuk konsiderohet prirotet, vazhdimisht do të ketë paragjykime dhe stereotipe.




Ilustrimi: Argjira Kukaj


Në një shtet demokratik është normale që një burrë ta ngrejë zërin për të drejtat e gruas, por në Kosovë aktivizmi i burrave për të drejtat e gruas ndryshon. Mund të thuhet se aktivizmi i burrave për këtë çështje është gati minimal dhe se burrat nuk e ngrisin zërin për vajzat dhe gratë. Barazia gjinore mbetet një problem i hershëm në shoqërinë kosovare.

Por që të ketë një shoqëri ku dy gjinitë të jetojnë të lira dhe të barabarta duhet të ketë një bashkëpunim dhe një luftë të përbashkët. Sociologë dhe aktivistë e konsiderojnë se roli i burrit është kyç dhe aktivizmi i tyre duhet të jetë prezent.

Një prej tyre është aktivisti për drejtësi sociale Agon Rexhepi i cili vijon mësimet në shkollën e mesme “Ahmet Gashi” në Prishtinë ka thënë se është shumë e rëndësishme përfshirja e burrave në këtë mes.


“Është e rëndësishme që të inkuadrohen burrat në këtë luftë sepse nuk duhet të jetë vetëm luftë e grave por edhe e burrave edhe çka munden burrat me bë në këtë aspekt është me pas ndikim në edukimin e familjes dhe që fëmijët të rriten në një frymë të barabartë”, ka thënë Rexhepi.

Sipas gjetjeve kryesore nga anketa ndërkombëtare mbi burrat dhe barazinë gjinore e krijuar në bashkëpunim mes Misionit në Kosovë të “Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë" (OSBE), zyrës në Kosovë të “Fondit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë" (UNFPA) dhe "UBO Consulting" "kujdesi për fëmijë kryesisht shihet si obligim i nënës sipas normave sociale në Kosovë”. Sipas rezultateve nga anketa del se 64 për qind të grave dhe 73 për qind të burrave ose pajtohen ose pajtohen pjesërisht që ndërrimi i pelenave, larja e fëmijëve, si dhe ushqimi i fëmijëve janë përgjegjësi e gruas.

“Kjo pjesërisht konfirmohet edhe nga përvojat e fëmijërisë së burrave në Kosovë, ku 35 për qind e tyre kanë pasur kujdes kryesisht ose vetëm nga nënat e tyre. Një pjesë substanciale e tyre (59 për qind) kanë raportuar që kanë pasur kujdes gati të barabartë nga nëna dhe babai, por babai rrallëherë e merr përsipër i vetëm këtë detyrë", shkruhet nga raporti i cili mbledh rezultatet e anketës.

Për Besnik Lekën i cili punon në organizatën “CARE International Balkans” në projektin “Iniciativa e Burrave të Rinj”, përfshirja e burrave sa i përket fushës së barazisë gjinore në vend është i ulët.

“Sa i përket fushës së barazisë dhe drejtësisë gjinore përfshirja e burrave ka qenë në nivel shumë të ulët që të mos themi përfshirja e tyre nuk ka ekzistuar fare në promovimin e barazisë dhe drejtësisë gjinore. Mirëpo kohëve te fundit shohim një përfshirje më të madhe të burrave dhe djemve te rinj në promovimin e barazisë, marrjen e përgjegjësive, duke marrë parasysh vetëdijesimin e tyre rreth patriarkalizmit, i cili po i ndikon të gjithë dhe për atë arsye përfshirja e të gjithëve është më së e nevojshme, e sidomos e burrave të cilat janë vet viktimë e sistemit patriarkal”, ka thënë Leka.

Për aktivisten Nafije Kuqi e cila një jetë ia kushtoi kauzës për emancipimin e gruas, njëherësh punoi në Qendrën Kosovare për rehabilitimin dhe mbrojtjen e viktimave të torturës ka thënë se ndikimi i burrit në emancipimin e gruas dhe barazinë gjinore është tepër i madh.


“Duke e shiku jetën familjare të një pjese të madhe të shoqërisë ku burri e ka rolin kryesor, atëherë dihet që ka ndikim. Familjet urbane janë më të emancipuara edhe roli i burrit nuk është aq i madh sa në vendet rurale edhe ne si shoqëri po ashtu duhet me bë trysni për emancipimin e burrit”, ka thënë Kuqi e cila ka qenë drejtoresha e parë e Kryqit të Kuq, dega Prishtinë.

Por sfiduese mbetet arritja e përfshirjes së burrave në këtë kauzë, ku ata do të mbështesnin gratë për një shoqëri të barabartë.

“Shoqëria nuk e din akoma konceptin e barazisë dhe si është një shoqëri e barabartë, sepse kur i shikon rastet e dhunës në familje, diskriminimit gjinor dhe ngacmimeve seksuale të bën të kuptosh se burrat nuk janë gati dhe nuk po punojnë në këtë aspekt”, ka thënë Rexhepi.


Në bazë të një hulumtimin të publikuar nga "Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut" del se në Kosovë rroga e një gruaje është 12 për qind më e vogël se sa e një burri. Ndërsa në bazë të një shkrimi në Radio Evropa e Lirë të bazuar nga Luljeta Demolli nga "Qendra Kosovare për Studime Gjinore" del se vetëm 16 për qind e pronave është në emër të një gruaje.

Në një shoqëri e cila çdo ditë përballet me probleme të shumta, e barazia gjinore nuk konsiderohet prirotet, vazhdimisht do të ketë paragjykime dhe stereotipe. Sipas Lekës shumica e problemeve e kanë bazën tek stereotipat dhe paragjykimet.


“Përderisa ende jetojmë në një shoqëri dhe çdo ditë shohim vuajte dhe diskriminime të cilat në shumicën e rasteve bazë kanë stereotipat dhe paragjykimet nga shoqëria. Domethënë, shumica e problemeve e kanë bazën tek stereotipat dhe paragjykimet, mënyra se si i shohin të tjerët apo në këtë rast si i percepton dhe pozicionon shoqëria vajzat dhe gratë, ku në shumicën e rasteve ato shoqëria, i vendos në shërbim të burrave dhe njëkohësisht e mjel inferioritetin tek to me dhunë”, ka thënë ai.


Se çka i sjellë një shoqëri e barabartë shtetit tonë kemi pikëpamje të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Në shtetet e Evropës perëndimore ku gratë gëzojnë më shumë të drejta se ato kosovare, ka një zhvillim gjigant shtetëror.

“Sigurisht që barazia gjinore është një aspekt shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë dhe nëse e arrijmë këtë qëllim atëherë do të kemi një shoqëri përparimtare, të hapur drejtë hapave të Evropës”, ka thënë Kuqi. Por sfidat nuk janë të vogla, qoftë për aktivistët apo për shoqërinë civile. Sipas Rexhepit në një shoqëri të barabartë duhet të ketë meritokraci. Ai thotë se sfida më e madhe është injoranca e njerëzve ndaj luftës së tij për një shoqëri të barabartë.


Nga e gjithë bëhet e qartë se shoqëria kosovare ka shumë probleme dhe betejat për të arritur deri tek barazia gjinore janë të shumta, por që qasja e rinisë ndaj këtij problemi jep shpresë se situata mund të ndryshoj. E për realizimin e këtyre qëllimeve për ndryshim, angazhimi i të gjithëve pa dallim, është i domosdoshëm.




Mbi autorin: Nol Musa është një djalë 16 vjeçar nga Prishtina, nxënës në shkollë të mesme i cili merret edhe me aktivizëm.



Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon