• Pikëpamja

QENDRA PËR FILOZOFI DHE ART: NJË FTESË PËR TË GJITHË DHE ASKËND


Qendra për Filozofi dhe Art, së bashku me blogun virtualsophists.org dhe revistën SOPHIA janë një tentim, sado modest qoftë, për ta shpërfaqur gatishmërinë e njerëzve për t’u marrë me studimin vetanak apo autodidakt të shkencave humane dhe po ashtu për të ngritur aftësitë e të rinjve për të shkruar dhe debatuar për këto hapësira studimore. Siç e thamë, ne besojmë që edhe sot, ndonëse të bombarduar nga virtualiteti dhe nga një ‘boom’ teknologjik, mund të gjejmë ngacmime për të shkruar.


Ilustrimi: Argjira Kukaj


Përpjekjet për ta përkufizuar Filozofinë, përveçse do të ishin të dështuara janë edhe shumë anti-filozofike. Filozofinë mund ta përkufizojmë po aq sa mund ta përkufizojmë Jetën. Prandaj çdo përpjekje e tillë do të ishte edhe e rrezikshme sepse është shumë jo humane kur Jeta futet në një sitem të ftohtë logjik duke e kalkuluar atë sikurse një detyrë në matematikë.

Megjithatë, ne mund të flasim për parime dhe mënyra se si do ta jetojmë jetën, si do t’i qasemi jetës për kohën që ekzistojmë në të gjallë. Për ne si themelues të Qendrës është shumë e vështirë t’u tregojmë se kush në të vërtetë jemi apo se çfarë përfaqësojmë, pikërisht për shkaqet që i përmendëm më lart. Kjo detyrë sado e rëndë dhe e pamundur, brenda vetes është e mbushur përplot me shkëndija shpërthyese të një lufte e cila është e pandalshme drejt pushtimit të majave të reja, drejt njohjes së vetes dhe drejt ndërtimit të vetes tonë nga vetja jonë. Po e nisim zbërthimin e Qendrës për Filozofi dhe Art, me një lajtmotiv apo një parashikim shumë tronditës për kohën kur u bë, por mjaft aktual edhe në kohën e sotme:

"E njoh fatin tim. Një ditë emri im do t'i bashkohet memories së diçkaje të tmerrshme - një krize të pashembullt në tokë, konflikti më i thellë i ndërgjegjes, i ndjellë kundër çdo gjëje që është besuar, pyetur, shenjtëruar deri më tani. Ku ju shihni ideale, une shoh çka është njerëzore, medet, tepër njerëzore" – Friedrich Nietzsche (citimin e përktheu Redi Sheqeri)

Ky parashikim nga filozofi Friedrich Nietzsche është e tashmja, e kaluara por edhe e ardhmja jonë si shoqëri globale e pastaj edhe kosovare. Kriza për të cilën po fliste Nietzsche është kriza e mungesës së identitetit si në rrafshin individual ashtu edhe në atë kolektiv. Kjo krizë do të jetë pikërisht përligjja kryesor e Luftërave Botërore por edhe i një gjendjeje kaotike që do pasonte pasluftën e që vazhdon edhe në ditët tona. Për të qenë më të qartë, kjo krizë morale, është shembja e mendësisë se Morali apo e Mira dhe e Keqja, do të brumosen nga ideale të tilla si: Religjioni, Kombi, Etnia, Shkenca, apo ideologji tjera. Këto tutela dhe strehëra Universale në shumë raste i kanë ofruar individit dhe shoqërisë siguri duke e bërë përballjen me ekzistencën më të lehtë por edhe më të thatë dhe shterpe. Me shembjen e këtyre idealeve Universale njeriu do të përfundojë në një kaos bindjesh, idesh, besimesh dhe do të jetë shumë herë më i thyeshëm dhe më afër vetëshkatërrimit. Këtë gjë e kishte parashikuar Nietzsche.

Shoqëria kosovare është një shoqëri pa traditë në kulturë, mendim, apo shkencë. Si e tillë ajo asnjëherë nuk e ka patur të formësuar në mënyrë të qartë mendimin mbi veten. Herë pas here gjatë historisë, kur ne si shoqëri kemi qenë të rrezikuar madje edhe me shuarje fizike, tek ne janë përbrendësuar identitete të tilla si nacionalizmi, religjioni, apo edhe ideologji si ajo socialisto-komuniste përgjatë regjimeve totalitare.

Sot në vitin 2019 kur shkenca dhe teknologjia janë në kulmin e tyre, i riu kosovar e ka të vështirë të mendojë në ekzistencën e Zotit. Sot kur kemi 20 vite nga lufta, i riu kosovar e ka të vështirë të jetë nacionalist, sot kur janë krijuar mundësi ekonomiko-sociale i riu kosovar e ka të vështirë të gjejë paqe në familjen e madhe patriakalo-tradicionale... Sot, i riu kosovar ka një nevojë që i buron nga brenda, nga thellësitë e qenies së tij, që të realizojë lirinë e tij dhe të ndërtohet pavarësisht vlerave tradicionale. Për të riun kosovar sot janë pjekur kushtet që ai të jetë i pavarur dhe të nisë rrugëtimin magjik drejt lirisë për veten. Për të riun kosovar ka ardhur koha e revoltës ndaj normave tradicionale dhe tabuve sociale.

Për të ndërtuar njeriun e ri duhet të shembim njeriun e vjetër, duhet ta shembim atë duke i dyshuar të gjitha vlerat tradicionale dhe të paracaktuara. Por, kriza për të cilën Nietzsche fliste fillon pikërisht në këto përpjekje të vështira për të ndërtuar identitete të zhveshura nga tradita dhe të pavarura nga çdo moral i paracaktuar. Kjo krizë varësisht si do të trajtohet do ta ketë edhe fundin e saj. A do të zgjedhim vetëshkatërimin apo vetëndërtimin, kjo na mbetet neve.

Jo të gjithë janë të vetëdishëm për këtë gjendje dhe jo të gjithë kanë guximin të shprehen për veten e tyre. Kjo gjendje më shumë përjetohet e ndjehet sesa që mendohet e arsyetohet. Duke mos qenë e qartë për mendjen dhe për arsyen, ne edhe veprojmë pa mendje e pa arsye. Me një gjendje të tillë psikologjike jemi përballuar dhe vazhdojmë të përballemi edhe ne si themelues të Qendrës. Në një situatë të tillë, ne konsiderojmë se nuk ka asgjë më të rëndësishme se lufta për ndërtimin e vetes, prandaj kemi vendosur që të komunikojmë, të flasim, të mendojmë publikisht... Ne besojmë se kjo qasje është e duhura për t’u përballur me kaosin në të cilën ndodhemi aktualisht. Këtë qasje më mirë se kudo tjetër mund ta gjejmë në Filozofi, Letërsi, Art apo në çdolloj krijimtarie. Njeriu duhet të flasë me gjuhën e së bukurës, me gjuhën e mendimit apo artit. Qendra për Filozofi dhe Art është një ftesë për mendim, reflektim, komunikim, krijim, dhe sinqeritet.

Qendra për Filozofi dhe Art për më tepër është një ikje nga thashethemnaja publike dhe thellim në mendim. Aty diskutohen emra që kanë vdekur këtu e shekuj më parë, shfaqen filma nga regjisorë zhanresh të ndryshme, shfaqen dokumentarë për individë që sot e asaj dite janë të diskutueshëm, interpretohen lirshëm e pa cenzurë tekste filozofike, mbahen ligjërata për tema që e konturojnë mendimtarin e ri shqiptar, si dhe debatohet gjerë e gjatë për të gjitha këto më lart. Ndërsa, nëse i bëni një vizitë të lirë ju do të shoqëroheni nga muzikë e mirë. Poashtu, mund të diskutoni për ndonjë nga kategoritë e mësipërme apo edhe të lexoni ndonjë libër nga minibiblioteka që ndodhet brenda Qendrës.

Thënë shkurt: Qendra për Filozofi dhe Art, është një përpjekje për të nxitur mendim kritik te secili individ dhe poashtu për ta estetizuar përditshmërinë e njerëzve që kanë interes në fushat e mësipërme.

Deri sot, kemi diskutuar veprat e njerëzve që lanë gjurmë, si: Schopenhauer, Camus, Hesse, Nietzsche, Sartre, Kafka, Dostoyevsky, Fromm apo Hemingway.

Ndërsa, poashtu kemi shfaqur filma nga regjisorët më të mëdhenj në kinematografinë botërore: The Doors (Oliver Stone, 1991), Stalker (Andrei Tarkovsky, 1979), Wings of Desire (Wim Wenders, 1987), The Dreamers (Bernardo Betolucci, 2003), Winter Sleep (Nuri Bilge Ceylan, 2014), Melancholia (Lars von Trier, 2011), Belle de Jour (Luis Bunuel, 1967), Through a glass darkly (Bergman, 1961), The Sacrifice (Tarkovsky, 1986), etj.


Ndërkaq, nëpërmjet dokumentarëve jemi njoftuar, i kemi përkujtuar dhe kemi debatuar për Emil Cioran, Karl Marx, Friedrich Nietzsche, Sigmund Freud, si dhe dy rock grupet legjendare: The Beatles dhe Pink Floyd. Përkitazi me aktivitetet në Qendrën për Filozofi dhe Art, ne jemi shumë të interesuar që t’i kontribuojmë edhe me shkrime fushave humane të cilat janë pjesë e përditshmërisë tonë.

Prandaj, tash e tri vjet më parë, në mënyrë kontinuale publikojmë shkrime dhe përkthime prej më të ndryshmeve në blogun online: virtualsophists.org. Po ashtu, duke qenë të vetëdishëm për rëndësinë historike të tekstit të botuar, ne botojmë Revistën filozofike – letrare SOPHIA – revistë kjo e cila është e para e rrymës filozofike të Ekzistencializmit në hapësirën mbarëshqiptare.

Qendra për Filozofi dhe Art, së bashku me blogun virtualsophists.org dhe revistën SOPHIA janë një tentim, sado modest qoftë, për ta shpërfaqur gatishmërinë e njerëzve për t’u marrë me studimin vetanak apo autodidakt të shkencave humane dhe po ashtu për të ngritur aftësitë e të rinjve për të shkruar dhe debatuar për këto hapësira studimore. Siç e thamë, ne besojmë që edhe sot, ndonëse të bombarduar nga virtualiteti dhe nga një ‘boom’ teknologjik, mund të gjejmë ngacmime për të shkruar. Prandaj, ju inkurajojmë që të na dërgoni shkrimet tuaja për publikim; po ashtu, të vini dhe të merrni pjesë në aktivitetet tona në Qendrën për Filozofi dhe Art. Ne jemi shumë të interesuar që të bashkëpunojmë me njerëz të rinj, të talentuar e të interesuar për filozofi, letërsi dhe art dhe mbi të gjitha të komunikojmë lirshëm pa barriera. Prandaj, mirëpresim kontaktin tuaj me neve!


"Filozofia, mesa e kam kuptuar dhe jetuar deri më tani, do të thotë të jetosh vullnetarisht midis akullit dhe maleve të lartë - duke kërkuar cdo gjë të çuditshme dhe të dyshimtë në ekzistencë, cdo gjë të ndaluar deri më tani, nga morali. Akulli është pranë, vetmia e tmerrshme - por sa qetësisht gjithë gjërat qendrojne në dritë! Sa lirshëm mund të marrësh frymë! Sa shumë ndjehet gënjeshtra nën vete." Friedrich Nietzsche (citimin e përktheu Redi Sheqeri)




Mbi autorin: “Qendra për Filozofi dhe Art”, është qendër kulturore me seli në qytetin e Prishtinës. Qendra është themeluar më 14 Nëntor 2018 dhe organizon diskutime mbi vepra të ndryshme letrare e filozofike, bën shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve dhe organizon ligjerata publike, debate dhe bashkëbisedime në fushën e Filozofisë, Letërsisë dhe shkencave sociale.






Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




58 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon