• Pikëpamja

QËNDRIMET E SHOQËRSISË TONË NDAJ KOMUNITETIT LGBTIQ+


Të jesh gej në një vend si Kosova nënkupton që çdo ditë të zgjohesh ndryshe, por të luftosh që të jetosh ngjashëm me të tjerët. Jeta e një personi gej në Kosovë, nuk është e lehtë, për shkak të stigmatizimit që i bëhet komunitetit LGBTIQ+ në përgjithësi.






Ilustrimi: Argjira Kukaj


Mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë, pavarësisht zhvillimeve që mund të ketë pasur vendi, vazhdon të jetë një betejë e madhe. Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë dhe mos diskriminimit, të precizuara në nenin 24 (1), ku deklarohet se të gjithë/a janë të barabartë para Ligjit dhe gëzojnë të drejtën për mbrojtje të barabartë ligjore, pa diskriminim dhe për më tepër ofrohet ndalimi i diskriminimit në bazë të gjinisë dhe orientimit seksual, si dhe statuseve të tjera personale. Megjithatë, kjo gjë nuk zbatohet në praktikë. Personat e komunitetit LGBTIQ+ shpesh detyrohen të jetojnë fshehur nga pjesa tjetër e shoqërisë, pasi shteti nuk u ofron mbështetjen e nevojshme. Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mos e pranojnë si realitet komunitetin LGBTIQ+ (lesbike, homoseksualë, biseksualë, transeksualë, interseks dhe queer).Sipas hulumtimit të organizatës GBC me titull, "Përceptimet e pozitës së komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë” komuniteti LGBTIQ+ vazhdon të jetë i kërcënuar dhe i rrezikuar nga shoqëria kosovare. Në këtë hulumtim është evidentuar një shkallë e lartë e qëndrimeve të ashpra negative ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti. Gati gjysma e të anketuarve mendojnë se homoseksualiteti është sëmundje (47.6 %) deri tek ato konsiderojnë se është i rrezikshëm për shoqërinë (61.6 %).


Në hulumtim janë nxjerr edhe disa përfundimet të cilat japin pasqyrë për gjendjen e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.


REFUZIMI I KONCEPTIT LIBERAL


Si shoqëri Kosova refuzon konceptin liberal, të të drejtave të njeriut si vlerë, veçanërisht të drejtat e komunitetit LGBTIQ+. Të drejtat LGBTIQ+ shihen si një vlerë qoftë e importuar ose e imponuar nga jashtë, ose nuk konsiderohen të jenë një e drejtë themelore e njeriut. Rrjedhimisht, shumica e komunitetit LGBTIQ+ detyrohet të jetojë një jetë të fshehtë ose të dyfishtë me frikë të vazhdueshme nga dhuna dhe diskriminimi.


Të jesh gej në një vend si Kosova nënkupton që çdo ditë të zgjohesh ndryshe, por të luftosh që të jetosh ngjashëm me të tjerët. Jeta e një personi gej në Kosovë, nuk është e lehtë, për shkak të stigmatizimit që i bëhet komunitetit LGBTIQ+ në përgjithësi. Një person homoseksual në Kosovë ende nuk ka hapësirë që ta fitojë guximin për ta pranuar publikisht orientimin e tij seksual.

"Kemi presion të madh prej grupe njerëzish. Jo pse e dinë për çka bëhet fjalë, po e lidhin komunitetin LGBTIQ+ me diçka që është shumë e keqe, që është diçka jo morale, dhe paska dalë si fenomen kohëve të fundit, dhe na paska sjellë dikush nga jashtë. Homoseksualët vuajnë edhe nga familja e tyre, ka raste kur janë përjashtuar nga shtëpia të jetosh në Kosovë si homoseksual është shumë e vështirë. Në momentin që shoqëria e kupton orientimin seksual, largohen prej teje, e gjithashtu edhe familja ka tendencë të të largojë prej shtëpisë, e nuk ka më keq. Shumica e familjeve në Kosovë mendoj se ende janë tradicionale dhe nuk i pranojnë njerëzit si të tillë, pasi që gjithçka që është ‘burrërore’ çmohet më shumë, dhe është e vështirë të pranohen njerëzit me orientim të vetin seksual dhe nuk i respektojnë të drejtat e secilit”, thotë një anëtar nga komuniteti LGBTIQ+ i cili ka dashur të mbetet anonim.


Kjo temë vazhdon të jetë një tabu e madhe në shoqërinë kosovare, qoftë në familje, qoftë në shkollë, në media apo edhe në nivele të tjera. Anëtarët e këtij komuniteti përballen, me shumë padrejtësi si nga ana familjare, shoqërore po ashtu edhe nga ana institucionale. Por edhe sa do të vazhdoj kjo gjendje nuk dihet, anëtarët e këtij komuniteti edhe pse kanë shumë mbështetje si nga organet ndërkombëtare, fondacione të ndryshme evropiane por edhe nga institucionet vendore, mbetet shumë për tu punuar në këtë aspekt.


MBROJTJA LIGJORE

Korniza ligjore e Kosovës ofron garanci të avancuara për të drejtat e njeriut, të harmonizuara me standardet ndërkombëtare. Teorikisht, kushtetuta lejon që shumë marrëveshje dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të zbatohen në sistemin ligjor të Kosovës dhe të mundësohet interpretimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në përputhje, me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shumë akterë ndërkombëtare, përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara, kanë qenë të përfshirë në dhënien e këshillave për strukturën substanciale të kushtetutës, dhe kësisoj kanë avokuar në përputhshmërinë e saj me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut. Profesori amerikan Louis Aucoin, ishte një nga figurat kyçe në Komisionin Këshillues për Kushtetutën e Kosovës. Në një intervistë në vitin 2008 iu bë pyetja sesi orientimi seksual është i garantuar në Kushtetutë dhe si u bë e mundur të përfshihet një çështje kaq e vështirë, ai u përgjigj:

“Gjatë procesit të komisionit, ne jemi ndarë në nëngrupe duke debatuar disa nga temat më të rëndësishme në kushtetutë, dhe njëra nga to ishte për të drejtat e njeriut. Unë pata një bisedë interesante me një grua e cila ishte presidentja e këtij nëngrupi për të drejtat e njeriut:, ajo sqaroi se përfshirja e orientimit seksual në nenin që siguron anti-diskriminimin është e nevojshme, por kjo gjë krijoj polemikë në atë nëngrup. Disa njerëz madje edhe dolën jashtë. Por kur erdhi puna në shqyrtimin e këtij teksti, unë përmenda faktin se edhe në kushtetutën e Afrikës së Jugut përfshihet një mbrojtje kundër diskriminimit në çështjen e orientimit seksual, dhe pastaj nuk pati më kundërshtime”, ka thënë Aaucoin për Rrjetin e Pjesëmarrjes së Refugjatëve.

Kjo mbase është mbase një arsyeja se pse Kosova është një nga dhjetë shtetet anëtare që e ka të ndaluar diskriminimin në bazë të orientimit seksual në kushtetutën e saj, edhe pse shoqëria kosovare mbetet ende tradicionale dhe konservatore.

Në kundërshtim me parimin e barazisë, siç përcaktohet me Kushtetutë, komunitetit LGBTIQ+ i ndalohet të ketë martesë të ligjshme. Kjo për shkak se Ligji i tanishëm për familjen kufizon aktin e fejesës dhe martesës vetëm me persona të gjinive të kundërta. Duke marrë parasysh të gjithat, duhet të theksohet se, përveç disa mangësive, prej të cilave disa janë theksuar, pra, korniza ligjore e Kosovës që garanton mbrojtje të avancuar të të drejtave LGBTIQ+. Kjo mbrojtje, megjithatë, nuk është vënë domosdoshmërisht në praktikë. Prandaj, prioriteti për të shkuar përpara është të përqendrohet në zbatim, praktikë të garancive ligjore të LGBTIQ+-së. Mbetet shumë për t’u bërë në betejën për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ , normave të ashpra dhe brutale të shoqërisë dhe kapacitetet e dobëta të shtetit, që të zbatojë sundimin e ligjit.








Mbi Autorin: Endrit Mazreku, 20 vjeçar nga Malisheva, është student i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës.









Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).



© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon