• Pikëpamja

“PO DU ME DALË JASHTË”!


Si nxënëse e vitit të fundit, të shkollës së mesme, prej hulumtimeve që i bëjë në internet, më të shpeshtat janë ato për mundësi shkollimi jashtë vendit. Po mendoj dhe shpresoj, që kanë me ndodh ndryshime në vitet e ardhshme, por nuk e di a jam unë ajo që do t’i gëzojë këto, për shkak që siç thash, ëndrra ime është që shkathtësitë e mia t’i shfaqi krejt diku tjetër.

Ilustrimi: Argjira Kukaj


Çdo ditë e më shumë, të rinjtë kosovar po shprehin dëshirë, që për shkak të pamundësive për ta shprehur dijen, talentin a shkathtësitë në fusha të caktuara, të braktisin Kosovën.

Pikërisht kjo vjen si pasojë e një jo-funksionimi adekuat të punësimit dhe shkollimit në vendin tonë. E tash janë bërë vite që ky fenomen as nuk konsiderohet problem kryesor nga krerët e shtetit tonë dhe nga ministritë e drejtoritë përkatëse. Përderisa kemi të rinj që posedojnë diploma (bachelor, master dhe madje doktoraturë) që vetëm janë bërë suvenire në shtëpitë e tyre.

Për shkak të kësaj të rinjtë e të rejat janë të detyruar të punojnë profesione që nuk i dëshirojnë, profesione që nuk përshtaten me titujt e diplomave te tyre.

“Trendi” i punësimit jashtë vendit nuk është diçka e re për ne. Megjithatë është një situatë e cila vazhdon e rritet. Shtete të cilat po i ofrojnë kushte sado pak më të mira të rinjve e të rejave kosovarë. Një raport nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës thotë se për periudhën 2013-2017 jashtë vendit kanë emigruar përafërsisht 35 mijë qytetare. Ndërsa Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se gjatë kësaj periudhe kanë emigruar rreth 170 mijë qytetare (duke përfshirë edhe emigrimin e parregullt/ilegal). Sipas ekspertëve një ndër arsyet kryesore të ikjes se të rinjve është mungesa e vendeve të punës. Për shkak që ata nuk kane përkrahje politike ata nuk mund ta gjejnë në mënyre të mirëfilltë një vend të punës. Ku nepotizmi në ditët e sotme në Kosovë është i zhvilluar në masë të madhe. Ekspertët konstatojnë se në këto raste (të ikjes jashtë vendit) ka persona që po ushtrojnë profesione ndryshe prej të cilave kanë diplomuar. Dëshira e tyre që të kenë një të ardhme më të mirë e me bo “pare”, i shtyn të marrin vendime të tilla.

Si pasojë e kësaj, Kosovës po i largohet rinia, një fenomen me te cilin jemi njohur në Ballkan ndër vite. E këto shtete perëndimore janë ato që po përfitojnë më së shumti, për shkak të punës sonë në fusha/profesione që të rinjtë atje nuk i kryejnë. Edhe me një tjetër fenomen qe po dalin fitimtarë ata janë shtimi i popullsisë së re, për shkak që statistikat tregojnë se në vitet e ardhshme, mosha mesatare do të jetë mbi 60 për qind.

Pikërisht duke i parë këto veprime, jam edhe unë ajo e cila nuk e shoh një të ardhme në vendin tim. Kjo është një e vërtetë e dhimbshme, që po më shtyn mua që të gjitha ëndrrat të mundohem t’i bëj realitet, por jo në Kosovë. Kjo vijon si pasojë e nepotizmit, si faktor në rend të parë. Për shkak të kësaj unë jam bërë që moti e vetëdijshme, se shkaku që nuk kam ndonjë lidhje të fortë ose përkrahje politike do të ndikoj në aspektin tim profesional në të ardhmen e afërt.

Shteti i Kosovës qe sa vite nuk ka punuar mjaftueshëm së pari në fushën e zhvillimit ekonomik (që është po ashtu arsye e fortë e largimit të popullsisë), nuk ka krijuar reforma të reja në arsim, ka punësuar njerëz (siç e ceka edhe më herët) me lidhje familjare a politike, e jo duke u bazuar në meritokraci. Për shkak të dështimit të këtyre sistemeve në shtetin tonë, nuk jam e motivuar që të filloj studimet këtu e hiq më pak që të mundohem të gjej ndonjë vend pune. Kjo vjen si pasojë se jam e vetëdijshme me faktin që diploma ime do të flas ndryshe prej vendit tim të punës.


Si nxënëse e vitit të fundit, të shkollës së mesme, prej hulumtimeve që i bëjë në internet, më të shpeshtat janë ato për mundësi shkollimi jashtë vendit. Po mendoj dhe shpresoj, që kanë me ndodh ndryshime në vitet e ardhshme, por nuk e di a jam unë ajo që do t’i gëzojë këto, për shkak që siç thash, ëndrra ime është që shkathtësitë e mia t’i shfaqi krejt diku tjetër. Aty ku premtohet shumë dhe aty ku puna shpërblehet. Aty ku nuk ka nepotizëm.

E edhe unë si gjithë të rinjtë kosovarë: “Po du me dal jashtë”!





Mbi autoren: Blenda Kurshumliu është një vajzë 17 vjeçare nga Mitrovica e cila vijon mësimet në shkollë të mesme.






Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




147 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon