• Pikëpamja

PËRFSHIRJA E GRAVE NË KËSHILLA NË NIVEL LOKAL


Pjesëmarrja e grave në këshilla të fshatrave është një prej niveleve të para ku gratë duhet të angazhohen në mënyrë që të sigurohet se nevojat dhe prioritet e tyre janë duke u adresuar.



Ilustrimi: Argjira Kukaj


Qasja e barabartë e burrave dhe grave në vendimmarrje është një prej kushteve themelore të demokracisë. Ndërsa përfaqësimi i barabartë i grave dhe burrave në çdo nivel të qeverisjes dhe vendimmarrjes është një prej faktorëve kyç që mundëson barazinë gjinore. Megjithatë në Kosovë, sipas Grupi për Hulumtime të Politikave në Ballkan (BPRG) “politika vazhdon të konsiderohet fushë e dedikuar për burrat. Paragjykimet gjinore, besimi i përgjithshëm se burrat janë udhëheqës më të mirë dhe mungesa e përkrahjes politike janë disa nga shkaqet që pamundësojnë ose pengojnë shumë promovimin e grave në pozita vendimmarrëse”.

Pavarësisht që korniza ligjore në Kosovë është një prej më të avancuarave duke përfshirë këtu Ligjin për Barazi Gjinore i cili synon arritjen e barazisë gjinore si dhe promovon dhe mbron të drejtat e grave dhe burrave, në realitet ende është shkalla e ulët e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në proceset e vendimmarrjes, si në nivelin shtetëror ashtu edhe në atë komunal. Veçanërisht mungon pjesëmarrja e grave në këshillat e fshatrave, pavarësisht faktit që pjesëmarrja e grave në procese të vendimmarrjes lokale është tejet e rëndësishme si në ofrimin e kontributit në komunitet dhe në angazhime të tjera që janë në interes për qytetarët.

Këshillat e fshatrave veprojnë si qendra joformale ndërlidhëse nëpërmjet institucioneve të qeverisjes lokale dhe qytetarëve. Në bazë të platformës “Pjesëmarrja e gjerë për qeverisje të mirë”, e cila është prodhuar si një nevojë në Kosovë për të sjellë vendimmarrësit lokalë më pranë qytetarëve për të promovuar qeverisjen e qëndrueshme, e sqaron mirë se si bëhet krijimi i formave të bashkëpunimit mes fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane e cila rregullohet përmes Udhëzimit Administrativ të MAPL nr. 2008/08, “për organizimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane, ndërsa secila komunë përmes rregullores së veçantë e trajton çështjen më ne detaje përkitazi me këtë udhëzim administrativ”. Aty thuhet se këshillet lokale mund t’i kenë prej 5 deri në 7 anëtarë.

“Por numrin e saktë e përcaktojnë vetë banorët e fshatit, lagjes apo vendbanimit që janë prezent në tubimin zgjedhor. Tubimet i udhëheq dikush i përzgjedhur nga vetë qytetarët, ndërsa të kandiduar mund të jenë banorë që kandidohen si qytetarë e jo në emër të ndonjë partie politike. Kryetari zgjidhet nga anëtarët e rinj të zgjedhur që kanë fituar më së shumti vota. Mandati i këshillave zakonisht është 3 vjeçar”, shkruhet në “Pjesëmarrja e gjerë për qeverisje të mirë”.

Roli i bashkësive lokale, këshillave të lagjeve apo fshatrave janë forma më e mirë e organizimit të komuniteteve të caktuara në mënyrë që të ndikojnë në politikat e komunës. Por si shqetësim i konsiderueshëm kulturor është përfshirja e grave në këshillat e fshatrave, që po ashtu është njëra nga sfidat që e preokupojnë shoqërinë tonë edhe në ditët e sotme .

Mungesa e përfaqësimit të balancuar gjinor në këshillat lokale dhe të fshatrave mund edhe të jetë pasojë e mendësisë patriarkale ku burrat pritet të jenë aktiv në domenin publik ndërsa gratë në domenin privat. Sipas BPRG, në këtë kontribuon po ashtu,“puna e papaguar - mirëmbajtja e shtëpisë dhe kujdesi për familjarët - dhe mungesa e qendrave të kujdesit ditor për fëmijë, i vendosin gratë dhe burrat në raport shumë të pabarabartë lidhur me kohën e disponueshme për t’iu dedikuar angazhimit politik e publik.” Kështu gratë nuk arrijnë të angazhohen sa duhet në aktivitete të tjera siç janë këshillat e fshratrave, gjë që iu kufizon ndikimin e tyre. Një shembull i tillë është edhe Komunën e Drenasit, e cila në listën e 44 fshatrave, sa janë gjithsej në këtë komunë, nuk ka as edhe një emër të vetëm gruaje, të paktën të ndonjë fshati në listën zyrtare të administratorëve të fshatrave. Pra nuk është as edhe një grua e vetme si përfaqësuese.

Pjesëmarrja e grave në këshilla të fshatrave është një prej niveleve të para ku gratë duhet të angazhohen në mënyrë që të sigurohet se nevojat dhe prioritet e tyre janë duke u adresuar.


Qendra Kosovare për Studime Gjinore në raportit hulumtues të “Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kosovë” thekson se pjesëmarrja e rritur e grave në vendimmarrje i kontribuon proceseve pozitive transformuese për shoqëritë, siç janë ndryshimet e ligjeve, politikave, shërbimeve, institucioneve dhe normave shoqërore.


Pra, “është e rëndësishme të sigurohet që të dëgjohen zërat e grave për vendimet që prekin jetët e tyre, jetët e familjeve të tyre dhe komunitetit më gjerë. Këto vendime prekin gratë po aq sa edhe burrat. Prandaj, gratë duhet të përfshihen në vendimmarrje në çdo fushë dhe të kenë fuqi dhe numër të barabartë me burrat. Është përgjegjësi e qeverisë të sigurojë që grave iu ofrohen mundësi për të marrë pjesë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes dhe se institucionet përfaqësojnë një llojllojshmëri të njerëzve dhe komuniteteve që ato përfaqësojnë”.

Përfaqësimi i nevojave të grave nga vetë gratë është treguesi më i mirë i drejtësisë, adresimit adekuat të kërkesave dhe respektimit të të drejtave të grave.



Mbi autoren: Albërije Makolli është një vajzë 24 vjeçare nga Drensasi.




Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon