• Pikëpamja

OBJEKTIVIZIMI I GRAVE NË PORTALE

Updated: Nov 5, 2019


“Ekspozimi i trupit të hollë në masmedia, mund të jetë i lidhur ngushtë me pakënaqësinë ndaj trupit të tyre, për shkak të diskrepancës që krijohet midis vetes ideale dhe vetes reale. Njerëzit fillojnë ta shohin veten shumë larg përmasave të dëshiruara dhe fillojnë të përdorin metoda të pashëndetshme për të arritur figurën ideale ose kjo mund të rezultojë në humbje të vetë-besimit dhe dëshpërim. Kur flasim për mënyrat e pashëndetshme, fjala është për dietat dhe produktet dietale janë ato që i kontribuojnë shëndetit jo të mirë psikologjik dhe çrregullimeve në të ushqyer”,ka thënë psikologia e profesoresha Kaltrina Kelmendi.


Ilustrimi: Argjira Kukaj


Jetojmë në një epokë ku ndikimi i medias është i pashmangshëm. Mirëpo, për fat të keq mesazhi që ato përçojnë jo gjithmonë është i mirëfilltë. Gratë, përkundër të arriturave të tyre, ende nuk vlerësohen për to dhe nuk paraqiten si të suksesshme, sepse si duket, ky rol në median kosovare, i është rezervuar kryesisht për burrat.

Portale të ndryshme me portretizimin që i bëjnë gruas shpeshherë kanë tendenca që t’i shohin gratë si objekte seksi. Publikimi i shkrimeve nga portalet se si duhet të duket një grua ideale ku u vihet theks i veçantë formave trupore duke ilustruar se si duket një grua tërheqëse është një formë e objektivizimit. E objektivizimi i gruas nga media, veçse konfirmon dhe mirëmban mendësitë që janë shpeshherë arsyet që kontribuojnë në ngacmime dhe përdhunime. Pra, kësisoj media del përtej virtuales dhe bëhet mënyrë jetese.


Sipas Besnik Lekës, njohës i çështjeve gjinore, kjo rezulton në dhunë, në shtypje dhe në vazhdim të pabarazisë gjinore.

“Nga kjo kuptohet që ky objektivizim seksual dhe kjo ‘liri’ që të cenohet integriteti i gruas në media, si dhe ‘liria’ që ato të trajtohen vetëm si trupa, ose si objekte që mund të komentohen qyshdo, ka ndikim të jashtëzakonshëm që edhe shoqëria të ndihet kësisoji karshi grave, e normalisht edhe në vetë perceptimin e grave për veten e tyre”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur tendencën për të ofruar lajme që janë në esencë të perceptueshme si skandaloze, e po ashtu edhe një arsye tjetër është nevoja për klikime.

“Tendenca për të ofruar lajme që janë në esencë të perceptueshme si ‘skandaloze’ duket të ketë zënë vendin e gazetarisë së mirëfilltë. Kjo tendencë është ushqyer padyshim prej trendeve të fundit të përfitimeve përmes klikimeve e shpërndarjeve nëpër rrjetet sociale. Pra, në rastet e portaleve seksiste, qëllimi i të bërit lajm nuk është informimi i qytetarëve, por gjenerimi i klikimeve që sjellin para. Kur shndërrohet paraja në qëllim, atëherë politikat redaktoriale orientohen vetëm te gjenerimi i të ardhurave”, ka thënë Leka.

Shkrimet të cilat në përmbajtje paraqesin “kriteret e së bukurës”, patjetër që kanë ndikim në vetëvlerësimin e grave për imazhin e tyre trupor.

Për Kaltrina Kelmendin e cila është ligjëruese në Departamentin e Psikologjisë, në Universitetin e Prishtinës, objektifikimi me figurat dhe imazhet që promovohen në media mund të rezultojë me pasoja të shumta negative për gratë/ vajzat.


“Ekspozimi i trupit të hollë në masmedia, mund të jetë i lidhur ngushtë me pakënaqësinë ndaj trupit të tyre, për shkak të diskrepancës që krijohet midis vetes ideale dhe vetes reale. Njerëzit fillojnë ta shohin veten shumë larg përmasave të dëshiruara dhe fillojnë të përdorin metoda të pashëndetshme për të arritur figurën ideale ose kjo mund të rezultojë në humbje të vetë-besimit dhe dëshpërim. Kur flasim për mënyrat e pashëndetshme, fjala është për dietat dhe produktet dietale janë ato që i kontribuojnë shëndetit jo të mirë psikologjik dhe çrregullimeve në të ushqyer”, ka thënë ajo.


Një studim i bërë në Kosovë në vitin 2014 (Kelmendi and Maloku, in-press) në lidhje me përdorimin e medies, qëndrimeve ndaj medies dhe ndikimit në shëndetin mendor dhe psikologjik me një mostër prej 516 studenteve të përzgjedhur në mënyre jo të rastësishme tregon se “sa më i madh përdorimi i medies aq më i madh internalizimi i vlerave që promovohen në media dhe aq më i madh presioni për të pasur imazhe të tilla”.

Në anën tjetër sipas Lekës bojkotimi aktiv i këtyre lajmeve/mediave është hapi i menjëhershëm. Ai thotë se është reagim logjik ndaj sekzismit në media – megjithatë puna me gazetarë mbetet një zgjidhje më afatgjate. “Normalisht, kjo e dyta kërkon më shumë kohë, resurse e bashkëpunim, por nga përvoja jam i sigurt që është efektiv” ka thënë Leka. Parandalimi i çrregullimeve potenciale do të mund të behet përmes medieve gjithashtu.


Sipas Kelmendit, media mund të zhvilloj programe edukimi dhe aktivitet që promovojnë informata dhe format e shëndosha të ushqyerjes dhe mirëqenies psikologjike. Ne ketë mënyre media mund të ndikojë edhe në trajtim por edhe ne parandalim. Promovimi i formave të shëndosha të ushqyerjes edhe aktivitetit fizik do të mund të ndihmojë në zhvillimin e qëndrimeve dhe bindjeve më funksionale në raport me ushqimin edhe trupin e tyre.

“Media do të duhej të promovojë diversitetin njerëzor në të gjitha format e tij, si në muzikë, televizione edhe aktivitete tjera. Media do të duhej të promovoj modele të shëndosha”, ka thënë ajo.





Mbi autoren: Leonora Rexhahmetaj është një vajzë 22 vjeçare nga Deçani e cila vijon studimet për psikologji.



Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon