• Pikëpamja

NJË QYTET ASFALT


Nëse të gjithë do të ishin të hapur për ndryshim duke i ruajtur hapësirat publike e duke qenë më të kujdesshëm atëherë ndoshta Prishtina do të ishte në një gjendje më të mirë. Rrugët do të ishin të kalueshme e qasshme për vetura e këmbësorë, e qyteti në tërësi do të dukej më i këndshëm. Ndoshta do të kishte edhe parqe të mëdha e në to plot njerëz duke u kënaqur por gjithashtu duke u kujdesur për natyrën.



Ilustrimi: Argjira Kukaj


Një përzierje multimilionëshe e gurëve, zallit dhe asfaltit po na e zë frymën, e një shëtitje nëpër qytetin e Prishtinës do ta vërtetojë këtë. Prishtina është shtëpia e mijërave njerëzve të pakujdesshëm të cilët nuk e kuptojnë që prona publike është për të gjithë dhe duhet ruajtur njëjtë si ajo private, por problemet e qytetit nuk janë tërësisht faji i banorëve por edhe i udhëheqësisë.

Duke zbritur shkallëve të rindërtuara të lagjes Arbëria për ta filluar ecjen nëpër qytet shihen qindra pisha të vogla të mbjellura në vija të drejta që po thahen një nga nj. Të njëjtin fat e kanë edhe plot lule përgjatë rrugëve dhe shesheve të kryeqytetit të cilat përveç se nuk ujiten, ato edhe shkelen nga këmbët e qytetarëve të pakujdesshëm.

Pas përfundimit te gjithë atyre shkallëve të lodhshme e gjen veten më afër qendrës, ku edhe mund të vërehen disa prej semaforëve që nuk janë funksional tash e disa vite. Më pas duke u afruar tek monumenti NEWBORN shihen disa kontejnerë të mbeturinave të vendosura aty muajt e fundit. Edhe pse ka vend në rrugë dytësore për vendosjen e tyre, Komuna e Prishtinës i ka vendosur në një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, ku ato përveç se kundërmojnë, lëshojnë një masë të zezë shpesh ngjitëse në trotuarin përreth.


Në anën tjetër të rrugës memoriali “Heroinat” është i lënë pas dore. Në një park i cili është ndërtuar për t’i nderuar gratë e mbijetuara nga lufta e fundit në Kosovë, nuk duhet të ketë shkrime e vizatime ofenduese. Prej aty vazhdoj rrugëtimin tek kampusi i Universitetit të Prishtinës i cili me hapësirën gjelbëruese të tij, edhe pse i jep pak hijeshi dhe oksigjen qendrës së qytetit, rrezikon që të bëhet parking nëntokësor.

Tutje kthej fokusin në ndërtesa kolektive, e që plot nga to janë mjaft të vjetra dhe të cilat nuk janë rinovuar asnjëherë. Hyrjet e shumicës së tyre janë edhe më shqetësuese dhe të frikshme, duke u munguar dritat, derisa mbeturina gjen gjithandej.

Këmbët më qojnë kah një rrugë tjetër e frekuentuar e kryeqytetit e mbushur jo vetëm me pluhur e beton, por edhe mbeturina. E veturat e shumta që kanë uzurpuar trotuaret ma bëjnë gati të pamundur lëvizjen më tej. Përveç asaj, mungojnë shumë nga sinjalistikat, të cilat ose nuk janë vendosur kurrë ose janë vjedhur e vandalizuar. E kam kaq të vështirë të lëvizi tani që është vera, ndërkohë imagjinoj se sa e vështirë do të jetë kjo lëvizje gjatë dimrit kur rrugët do të shkëlqejnë nga sipërfaqja e lëmuar dhe e rrezikshme e akullit, sepse bora e akulli “do ta të na zënë papërgatitur” edhe këtë vit. Për një moment ndalem dhe marr frymë thellë, e mendohem ky ajër që thithi në verë, dimrit do të më kthehet në “helm”.


Nëse të gjithë do të ishin të hapur për ndryshim duke i ruajtur hapësirat publike e duke qenë më të kujdesshëm atëherë ndoshta Prishtina do të ishte në një gjendje më të mirë. Rrugët do të ishin të kalueshme e qasshme për vetura e këmbësorë, e qyteti në tërësi do të dukej më i këndshëm. Ndoshta do të kishte edhe parqe të mëdha e në to plot njerëz duke u kënaqur por gjithashtu duke u kujdesur për natyrën. Sikur secili/a prej nesh do të kishim pasur më shumë kujdes për hapësirën ku jetojmë, duke filluar nga momenti që dalim nga shtëpia, më pas për lagjen e gjithë qytetin, besoj se gjendja do të ishte ndryshe. Mjafton një kontribut i të gjithë neve që ndryshimet të ndodhin. Në këtë formë do të ishim më të përgatitur e kompetent për të ngritur zërin tek instancat më të larta që të investojnë për qytetin. Një komunitet i bashkuar për një qytet të bashkuar, do të ishte një moto shumë e mirë për të filluar ndryshimin.


Një Prishtinë e pastër, me rregull, e bukur e me njerëz të kujdesshëm e të dashur nuk është një gjë e vështirë për tu arritur, krejt çka duhet është pak punë e shumë mendje të hapura, të gatshme për sfida.





Mbi autoren: Anyla Zogu është një vajzë 16 vjeçare nga Prishtina e cila vijon mësimet në shkollë të mesme.



Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




205 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon