• Pikëpamja

NDIKIMI I MUNGESËS SË LABORATORËVE DHE PAJISJEVE NË MËSIM NXËNIE


Mungesa e laboratorëve në shkolla është një problem për të gjitha lëndët e veçanërisht për lëndët si; fizika, biologjia dhe kimia. Këto lëndë në krahasim me lëndët tjera kanë më shumë nevojë për pajisje dhe laboratore për shkak se proceset e ndryshme fizike, kimike apo biologjike si dhe reaksionet kimike janë pjesë të këtyre lëndëve që nuk mund të sqarohen vetëm me teori



Ilustrimi: Argjira Kukaj


Të gjithë e dimë se arsimi në Kosovë ka shumë të meta, duke filluar nga objektet të cilat janë në gjendje shumë të keqe e deri te tekstet shkollore të cilat janë të stërmbushura me material i cili shpeshherë është i pa-thjeshtëzuar, me gabime dhe i vështirë për tu kuptuar nga nxënësit. Mirëpo një problem tjetër dhe shumë i rëndësishëm është edhe mungesa e laboratorëve dhe pajisjeve të cilat ndihmojnë që procesi mësimor të jetë sa më i kuptueshëm. Kjo mungesë paraqet problem për të gjitha lëndët e veçanërisht për lëndët si; fizika, biologjia dhe kimia. Këto lëndë në krahasim me lëndët tjera kanë më shumë nevojë për pajisje dhe laboratore për shkak se proceset e ndryshme fizike, kimike apo biologjike si dhe reaksionet kimike janë pjesë të këtyre lëndëve që nuk mund të sqarohen vetëm me teori.


Jerina, një nxënëse e vitit të dytë në gjimnaz, thotë se mungesa e praktikës në shkollë paraqet shumë problem në mësimdhënie dhe mësim nxënie.

“Unë vijoj mësimin në drejtimin natyror, dhe për mua është tejet e vështirë që të kyçem në temat që kërkojnë praktikë sepse ato tema për ne janë vetëm imagjinare. Në shumicën e rasteve duhet të kërkojmë në internet video praktike dhe t’i kuptojmë sa më mirë mësimet, prandaj unë mendoj që kjo është arsyeja kryesore që ne si nxënës mbesim mbrapa në mësim nxënie, pasi ne mësojmë gjithçka çka është e shkruar në libër në mënyrë mekanike. Duke mësuar diçka “imagjinare”, e cila është tejet e vështirë të kuptohet vetëm me teori po shkakton edhe humbjen e interesimit të nxënësve”, thotë ajo. Me krijimin e kushteve të duhura për çdo lëndë, interesimi i nxënësve si dhe ora mësimore do kishin qenë në nivel më të lartë.


Ndërsa vështirësitë më të mëdha Jerina thotë se i ka në kimi e biologji sepse me grumbullimin e mësimeve në këto lëndë si dhe me mungesën e shembujve praktike në orë mësimore Jerina thotë se nxënësit “zgjidhjen” e gjejnë në mësimin përmendësh të lëndëve.

Ndërsa Dreni , tash student i vitit të parë në drejtimin e shkencave kompjuterike thotë se mësimi praktik gjithmonë ka qenë një pengesë e madhe për nxënien e mësimeve si për të ashtu edhe për nxënësit tjerë.


“Më kujtohet në klasën e 6-të kur arsimtarja e biologjisë kishte marrë me vete mikroskopin shkollor, dhe na kishte thënë se ne do vrojtojmë një cipë të qepës në të. Ky vrojtim është me siguri ndër më të thjeshtit në biologji, por për ne ishte diçka krejt e re dhe mbresëlënëse, sepse për herë të parë ne kishim parë diçka në nivel mikroskopik”, thotë Dreni.

Këto vështirësi nuk po i hasin vetëm nxënësit por edhe mësimdhënësit. Profesori i shkollës së mesme “Remzi Ademaj” Reshat Reshiti thotë se shkolla ku ai punon ka vetëm mjete elementare të punës, por jo edhe për shkenca.

“Është e domosdoshme për shkolla që të kenë laboratorë për orë praktike, kabinete për TIK e po ashtu edhe për art. Pjesa praktike është shumë e rëndësishme sepse kultivon të menduarin kritik për të nxënë dije të reja, shkathtësi dhe kompetenca për punë”, thotë Reshiti.

Edhe lëndët si edukata fizike dhe sportive si dhe edukata muzikore kanë humbur rëndësinë e tyre si lëndë për shkak të mungesave të shumta që ekzistojnë në shkollat tona. Edhe pse aktivitetet fizike janë shumë të dobishme në jetën tonë të përditshme, në shkollat tona në përgjithësi edukata fizike është njëra ndër lëndët që I kushtohet më së paku rëndësi.


Përpos mungesave të shumta në pajisje në lëndën e edukatës fizike, edhe ato pajisje të pakta të cilat gjinden janë të vjetra dhe të papërdorshme. Mirëpo mungesa e pajisjeve nuk është problemi kryesor pasi që në shumë shkolla nuk ka fare sallë të edukatës fizike, ndërsa kjo lëndë mbahet ose në oborrin e shkollës ose në klasa, ku asnjëra prej tyre nuk është zgjidhje e duhur.

Në anën tjetër edhe edukata muzikore është një lëndë shumë e rëndësishme së cilës fatkeqësisht nuk i kushtohet mjaft vëmendje. Në vend të zhvillimit të orës së muzikës me dëgjim e me këndim të këngëve, në shkollat tona kjo orë zhvillohet vetëm në teori. Pra, në vend të edukatës muzikore ne mësojmë histori muzike.


Atëherë kur sado pak do të përmbushen kushtet e nevojshme në objektet tona shkollore dhe ajo çka ne mësojmë në teori praktikohet edhe interesimi i nxënësve do të jetë shumë më i madh dhe do të kemi një arsim shumë më cilësor.





Mbi autoren: Njomza Jëlliqi është një vajzë 18-vjeçare nga Prizreni e cila ka përfunduar shkollën e mesme.






Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




143 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon