• Pikëpamja

NDIKIMI I BULLIZMIT NË MIRËQENIEN E TË RINJVE DHE TË REJAVE

Updated: Nov 5, 2019

Pasojat e këtij fenomeni janë nga më të ndryshmet. Kur një nxënës/e bie pre e ngacmimeve, ai/ajo do të jetë vazhdimisht nën ndikimin e stresit, depresionit, izolimit e që mund të sjell edhe metodat më ekstreme të lëndimit të vetes. Por nxënësit/et mund të ndikohen edhe në forma të tjera siç është ajo e humbjes së vetëbesimit dhe rezultatit të pakënaqshëm në shkollë, e nëse teprohet i/e ngacmuari/a mund të kërkojë edhe të largohet nga shkolla.



Ilustrimi: Argjira Kukaj


Me bullizëm nënkuptojmë rastet kur një nxënës/e, në mënyrë të përsëritshme përballet me ngacmime të jashtme nga ana e një nxënësi/e apo grup nxënësish/esh që konsiderohen si më “të fortë”, fenomen ky që shkakton lëndime si nga aspekti fizik ashtu edhe nga ai psikologjik.

Ekzistojnë forma të ndryshme të bullizmit, siç është bullizmi verbal, fizik, emocional apo edhe ngacmimi në formë elektronike, i ashtuquajturi “cyber bullying”. Mirëpo, në të njëjtën kohë ngacmimi mund të ndodhë edhe në vende të tjera jashtë shkollës por të vazhdojë edhe në shkollë, si dhe e kundërta.


Pasojat e këtij fenomeni janë nga më të ndryshmet. Kur një nxënës/e bie pre e ngacmimeve, ai/ajo do të jetë vazhdimisht nën ndikimin e stresit, depresionit, izolimit e që mund të sjellë edhe metodat më ekstreme të lëndimit të vetes. Por nxënësit/et mund të ndikohen edhe në forma të tjera siç është ajo e humbjes së vetëbesimit dhe rezultatit të pakënaqshëm në shkollë, e nëse teprohet i ngacmuari/a mund të kërkojë edhe të largohet nga shkolla.

E një problem të tillë e hasim edhe në Kosovë, e sidomos në shkollat fillore dhe të mesme, ku ngacmimet ndërmjet nxënësve janë pothuajse të pashmangshme.

Për S.Q, tash studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ngacmimet në shkolla, kryesisht ngacmime verbale kanë qenë përherë të pranishme e që kanë ndikuar shumë negativisht duke e bërë të ndihet e lënë anash apo edhe si pjesë e padëshiruar e atij rrethi.

E në lidhje me mundësinë për të raportuar këto raste të ngacmimit, ajo tregon se nuk ka pasur ku të drejtohet në shkollë.

“Në shkollë, ngacmimet janë konsideruar ngacmime vetëm atëherë kur kanë pasur pasoja të mëdha dhe kanë përfshirë grupe të mëdha njerëzish, jo vetëm individ. Pra ngacmime që kanë shkaktuar përleshje fizike e ndonjëherë edhe më shumë. Por t’u kërkosh ndihmë shkollës për ngacmime verbale ka qenë e pamundur, e pothuajse edhe absurde për ta”, thotë ajo.

Disa statistika të vitit 2014 të HBSC-së në Kosovë (Health Behaviour in School-aged Children) tregojnë se në shkolla në Kosovë nxënësit ngacmohen ose i ngacmojnë të tjerët shpesh.

Për pjesën më të madhe të nxënësve, kjo ka ndodhur 2-3 herë gjatë këtij viti (19.2% të ngacmuar dhe 15.9% që kanë ngacmuar të tjerët) ndërsa 5% prej tyre kanë përjetuar bullizëm dy ose më shumë herë brenda muajit.


“Në bazë të të gjeturave vërehet se vajzat janë më pak të ngacmuara dhe rrjedhimisht më pak ngacmojnë të tjerët në krahasim me djemtë, që tregon se nxënësit që kanë qenë të ngacmuar, janë më shumë të prirë të ngacmojnë të tjerët. Sidoqoftë, pasojat e bullizmit kanë qenë shumë serioze nisur nga fakti se të anketuarit kanë shfaqur pakënaqësi në shkollë dhe në jetë në përgjithësi, probleme me fjetjen dhe gjithashtu janë shprehur se kanë pasur më pak kohë për të kaluar me shoqëri. Kur janë pyetur nëse flasin për ngacmimet, rreth 80% e fëmijëve të moshës 6-10 vjeç thanë se flasin kryesisht me prindërit, kurse ata të moshës 11-18 vjeç thanë se për ngacmimet flasin me këdo (familjen, shokët, stafin e shkollës, policinë etj) ”, thuhet në këtë raport.


Ndërsa, në shfaqjen e këtij problemi mund të ndikojë edhe mungesa e psikologëve në shkolla ngase vetëm 80 psikologë dhe pedagogë janë të punësuar në më shumë se 700 institucione arsimore në nivelin fillor, të mesëm të ulët dhe atë të mesëm të lartë, që ndikon drejtpërdrejtë në perceptimin e bullizmit dhe mënyrën e përballjes me të nga ana e të ngacmuarit.

Valdet Plakolli, psikolog, mendon se bullizmi është i përhapur në çdo shoqëri, e përjashtim nuk bëjnë as shkollat tona, mirëpo sipas tij mungojnë statistika, përveç disave që janë kryer nga studentë dhe profesorë të shkencave shoqërore.


Në lidhje me rëndësinë e psikologëve në shkolla dhe trajtimin e mëtejshëm të bullizmit, Plakolli tha se ata do të duhej të ishin prezent në çdo shkollë.

“Nuk mendoj se bullizmi mund të eliminohet, por prania e psikologut dhe profesionistëve të tjerë në shkolla ndihmon shumë në zvogëlimin dhe trajtimin me sukses të rasteve, përmirësimin e raporteve shoqërore në shkolla, përmirësimin e komunikimit, rritjen e vetëbesimit të nxënësve si dhe raportimin dhe trajtimin me sukses të rasteve”, thotë ai.


E i gjithë ky problem mund të trajtohet nëse ekziston edhe përkrahja e duhur morale, institucionale dhe vetëdijesimi i nxënësve mbi pasojat dhe efektet negative që shkakton prania e këtij fenomeni në shoqërinë tonë. Mjafton të ndërmerren hapat konkretë siç janë mbajtja e ligjëratave vetëdijësuese, trajnimet që në fokus e kanë këtë problem si dhe bashkëpunimi ndërmjet prindërve dhe mësuesve që ndikojnë pozitivisht në zvogëlimin e bullizmit edhe më shumë, derisa të gjithë nxënësit do të jenë të lirë të shprehin atë që mendojnë lirshëm, pa frikën se dikush mund të i ngacmojë ata.



Mbi autorin: Rexhep Kameraj është një djalë 18 vjeçar nga Deçani i cili vijon studimet në Fakultetin e Filologjisë në Degën e Gjuhës Angleze.



Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.


184 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon