• Pikëpamja

MUNGESA E GJITHËPËRFSHIRJES SË NXËNËSVE NË MËSIMIN ONLINE GJATË PANDEMISË

Updated: Jun 15


Kur Kosova u prek nga virusi Covid-19, menjëherë pas disa ditëve u shtrua çështja e mbajtjes së mësimit në shkolla dhe universitete, dhe masave që do të merrte Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni në këtë situatë në mënyrë që nxënësit të mos mbesin pa mësim. Sipas statistikave të MAShTI-t dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës masat parandaluese të shpallura nga Qeveria e Kosovës kundër përhapjes së Covid-19 të datës 11 mars 2020 e kanë ndikuar jetën dhe arsimimin e rreth 450,146 nxënësve dhe studentëve ne Kosovë.



Ilustrimi: Argjira Kukaj


Më 11 Mars të gjitha shkollat u mbyllën në Kosovë. Kjo për shkak të përhapjes së virusit Covid-19 në shumë shtete të botës.

Sipas një raporti të UNESCO-s më shumë se 1 miliard e 575 milion nxënës dhe studentë në rreth 188 shtete të botës janë raportuar të jenë ndikuar nga mbyllja e shkollave dhe universiteteve për shkak të masave parandaluese të ndërmarra nga shtetet kundër përhapjes së Covid-19

Kur Kosova u prek nga ky virus, menjëherë pas disa ditëve u shtrua çështja e mbajtjes së mësimit në shkolla dhe universitete, dhe masave që do të merrte Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni në këtë situatë në mënyrë që nxënësit të mos mbesin pa mësim. Sipas statistikave të MAShTI-t dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës masat parandaluese të shpallura nga Qeveria e Kosovës kundër përhapjes së Covid-19 të datës 11 mars 2020 e kanë ndikuar jetën dhe arsimimin e rreth 450,146 nxënësve dhe studentëve ne Kosovë.

Më datë 23 mars mësimi online në bazë të një strategjie nga Ministria e Arsimit filloi në universitete dhe në shkolla fillore dhe më vonë edhe të mesme. Por sa ka siguruar gjithëpërfshirje të nxënësve/studentëve në gjithë Kosovën, është çështje tjetër që duhet diskutuar. Përfshirja sociale është një çështje e gjithë shoqërisë dhe jo vetëm e sistemit arsimor. Arsimi gjithëpërfshirës, si një hap i parë drejt përfshirjes sociale, është në dobi të të gjithë shoqërisë. Por me mungesën e gjithëpërfshirjes në mësimin online po ballafaqohet edhe Kosova, sikur vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Por cilët janë faktorët ndikues të cilët kanë pamundësuar të ketë gjithëpërfshirje në mësimin online?


Në bazë të një hulumtimi të bërë në prill të këtij viti nga Universiteti i Prishtinës mbi ndikimin e Covid-19 në arsim, si një prej faktorëve kryesor është mungesa e mjeteve teknologjike të cilat nuk i posedojnë një numër i nxënësve, për shkak të kushteve ekonomike, duke potencuar se nxënësit nuk kanë kompjuter në shtëpi (41.7%).

Kjo detyrimisht përjashton një pjesë të nxënësve për tu qasur në mësimin online dhe ajo që ka ndikuar në mungesën e mjeteve teknologjike është papunësia e anëtarëve të familjes apo të ardhurat e vogla. Sipas publikimit të rezultateve të Agjencisë së Fuqisë Punëtore-së, të publikuara nga ASK, shkalla e papunësisë në vitin 2019 ishte 25.7 %. Kjo në një masë të madhe prek studentët dhe nxënësit ku shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 49.4 %.

Si grupe më të diskriminuara dhe të përjashtuara nga mësimi online e që ndërlidhet me papunësinë janë komunitetet pakicë; rome, ashkali dhe egjiptian, si shtresa më e diskriminuar dhe më e varfër nga gjithë komunitetet tjera në Kosovë. Në bazë të statistikave nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit norma e papunësisë e këtyre komuniteteve është 90-100% për shkak të pozitës së varfër socio-ekonomike. Kjo gjithsesi vështirëson qasjen në arsim dhe specifikisht në mësimin online për shkak se pjesa më e madhe nuk posedojnë telefon apo kompjuter si mjeti kryesor, pastaj edhe interentin që kërkohet për qasje në mësimin virtual.

Mësim gjithëpërfshirës nuk po arrihet të realizohet edhe me grupe të tjera të margjinalizuara, siç janë fëmijët me aftësi të kufizuara. Rreth 5,300 fëmijë nga 43,000 sa janë gjithsej me aftësi të kufizuara në Kosovë, e vijojnë mësimin në shkolla, por çfarë ndodhë me mësimin online, ku shumica prej tyre nuk kanë ndoshta aftësi vetanake për t’i përdorur mjetet teknologjike, pastaj mbështetjen në kryerjen e detyrave mësimore, e që janë të shumta. Edhe pse si një mundësi e mirë gjatë kësaj kohe të virusit për të inkuadruar edhe pjesën tjetër që kanë pasur të pamundur mbajtjen e mësimit fizik në shkollë, por institucione relevante nuk kanë marrë nisma adekuate për të realizuar edhe në këtë aspekt mësimin gjithëpërfshirës.

Pandemia me Covid-19 ka sjellur shumë sfida në të gjitha fushat, por nevojitet vullnet dhe gatishmëri e institucioneve dhe akterëve të tjerë për tu mundësuar të gjithë nxënësve dhe studentëve qasje të barabartë në mësim online, pasi e drejta e arsimimit garantohet me të gjitha konventat për të drejta të njeriut, si dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë, krijimi i strategjive profesionale për mësim të dixhitalizuar, shkëmbimi i përvojave në inkuadrim të fëmijëve me nevoja të veçanta, janë pikat kryesore ku institucionet tash e tutje duhet të fokusohen në mënyrë që të arrihet gjithëpërfshirje në mësim online dhe në arsimim në përgjithësi.







Mbi autorin: Leotrim Pajaziti, 20 vjeçar, i cili vjen nga fshati Shalë, Komuna Lipjan është student në vitin e II-të në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës





Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).





119 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon