• Pikëpamja

MBROJTJA E NATYRËS PËRGJEGJËSI E JONA

Updated: Nov 5, 2019

Ndotja e ujërave vazhdon të jetë çdo ditë e më tepër problem serioz në Kosovë për arsye se shumica e lumenjve keqpërdoren edhe si mundësi e shfrytëzimit të derdhjes së ujërave te zeza dhe mbeturinave të tjera të cilat jo vetëm ndikojnë në ekosistem të zhdukjes së botës shtazore në lumenj ato gjithashtu rrezikojnë shëndetin e njeriut duke qenë burim i infektimit dhe përhapjes së epidemive të ndryshme.


Ilustrimi: Argjira Kukaj


Kosova është një vend me sipërfaqe të vogël, por që karakterizohet me shumë pasuri nëntokësore dhe mbitokësore, me biodiversitet të pasur, me shumë pyje, lumenj, liqeje dhe minerale. Gjitha këto pasuri natyrore fatkeqësisht janë duke u keqtrajtuar në mënyre të egër, duke filluar nga shpyllëzimi ilegal, shfrytëzimin e zhavorit të lumenjve, që ndikon në ndryshimin e shtratit e lumit dhe ndikon në disbalancin e ekosistemit, hedhja e mbeturinave ne hapësirat publike.

Kosova përballet me probleme shumë serioze nga mungesa e vullnetit dhe pasivitetit për të reaguar ndaj veprimeve të tilla, andaj duhet të ndërmerren hapa të shpejt për ndalimin e kësaj dukurie, me veprime korrigjuese për të mbrojtur cilësinë mjedisore .


Në momentin që hedhim hapin e parë në ambiente të hapura, ballafaqohemi me ndotjen. Ndotja është degradimi i një ekosistemi nga futja e substancave ose rrezatimeve që ndryshojnë shumë ose më pak funksionimin e këtij ekosistemi qe paraqitet në kategori te ndryshme, siç janë ndotja e ajrit, ujit, mjedisit dhe ndotja akustike.


Ndotja e ujërave vazhdon të jetë çdo ditë e më tepër problem serioz në Kosovë për arsye se shumica e lumenjve keqpërdoren edhe si mundësi e shfrytëzimit të derdhjes së ujërave te zeza dhe mbeturinave të tjera të cilat jo vetëm ndikojnë në ekosistem të zhdukjes së botës shtazore në lumenj ato gjithashtu rrezikojnë shëndetin e njeriut duke qenë burim i infektimit dhe përhapjes së epidemive të ndryshme.

Ndotja e lumenjve si dukuri negative duhet të sensibilizohet në çdo formë, në mënyrë që bashkërisht ta parandalojmë degradimin e tyre.

Fokusi im në këtë shkrim është të paraqes këtë dukuri nga këndvështrimi dhe hapësira me të cilën unë ballafaqohem çdo ditë.


Unë jam nga qyteti i Gjakovës, qytet i cili është i pasur me 3 lumenj dhe një liqe artificial dhe secili përmban karakteristikat e veta. Dikur të njohur për pastërtinë, bukurinë dhe atraksionin në peshkim lumenjtë e Gjakovës janë shndërruar në ricikluesin më të madh të kanalizimeve dhe mbeturinave. Më karakteristike dhe e dhimbshme është lumi Krena, i cili rrjedh në mes të qytetit dhe e ndan atë në dy pjesë. Në lum vazhdimisht hidhen mbeturina gjë që kanë shndërruar lumin në deponi të kanalizimeve, që rezulton në kundërmim të lumit. Ky problem bëhet edhe më serioz duke konsideruar se në disa pjesë ka shumë familje që jetojnë anash lumit dhe hedhja e mbeturinave rezulton në ndotje të ambientit, gjë e cila e bën shumë më të lehtë kontaminimin e ujit dhe shpërndarjen e sëmundjeve të ndryshme ngjitëse. Ky shqetësim i qytetarëve të reflektohen edhe me inicimin në studimin e UNDP, ku shihet që qytetarët e Gjakovës janë përgjithësisht më të pakënaqur se mesatarja e Kosovës në aspektin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.


Lumi Llukac gjendet në anën periferike të qytetit. Kjo zonë, lagjja “kolonia”, është komunitet i varfër, dhe mungesa e kushteve elementare të jetesës ka ndikuar që kjo zonë të mbetet një ndër zonat më të rrezikuara në aspektin shëndetësorë. Duke qenë shumë afër deponisë së qytetit ajo është shndërruar si deponi e mbeturinave gjithashtu.


Lumi Erenik gjendet në anën jugperëndimore të qytetit. Ky lum është degraduar në tërësi për arsye të gërmimit në masë enorme dhe me këtë fenomen fatkeqësisht i gjithë shtrati i lumit ka devijuar. Pikërisht për gjendjen alarmante të këtij lumi është publikuar në revistën prestigjioze National Geographics, dhe si rrjedhojë gjatë sezonit verore është marrë iniciativë vullnetare në nivel të Kosovës për pastrimin e lumit Erenik, në të cilën pjesëmarrja e vullnetarëve edhe nga qytetet e tjera të Kosovës ka qenë mjaft e madhe.


Ne rinia jemi të vetëdijshëm që përballë vetes kemi një përgjegjësi të madhe për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë, duke marrë parasysh që përpara vetes kemi një pasuri kaq të çmuar dhe një degradim enorm për të cilën duhet të marrim përgjegjësi që ta mbrojmë, ta luftojmë degradimin, dhe të përpiqemi të gjejmë mënyra dhe mekanizma që ligjet ekzistuese të gjejmë zbatueshmëri, të sensibilizojmë njerëzit sidomos në zonat ku degradimi është më i theksuar dhe t’i edukojmë brezat e ardhshëm. Natyra na takon të gjithëve ndaj të gjithë ndajmë përgjegjësi në ruajtjen e shëndetit dhe të natyrës.



Mbi autoren: Nesa Kryeziu është një vajzë 17 vjeçare nga Gjakova e cila ndjek mësimet në shkollën e Mesme.



Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.

229 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon