• Pikëpamja

MARTESA- ZGJEDHJE, JO OBLIGIM


Të avancuara sot me mundësinë për stabilitet financiar martesa e asaj kohe s’është më nevojë për gratë. Natyrisht, riprodhimi është dëshirë dhe zgjedhje njerëzore por a duhet të përdoret ky si justifikim që të kryhet stazhi i martesës si proces ligjor në mënyrë që të vazhdohet jeta normale- ose kështu e quajtur nga shoqëria normative?

Ilustrimi: Argjira Kukaj


Martesa kishte “kuptim” kohë më parë kur përgjithësisht gratë nuk kishin rolet dhe të drejtat e barabarta si të burrave, gjatë periudhave kur nuk ekzistonte mundësia e qasjeve në vende pune dhe mbretëronte nevoja për siguri financiare. Kjo ideologji, mbi të tjerat i cilëson burrat si fituesit e bukës së gojës e gratë përgjegjëse për rahatinë në shtëpi, gjë që lë të kuptohet se e vetmja mënyre e jetesë tek gratë është martesa e mu ajo jetesë konsistohet nga anashkalimi total i dëshirave personale e vënia në prioritet e kënaqësive të palës tjetër bashkëshortore.

Në rastin tjetër edhe pse kishin të ardhura, burrat përballeshin me krizën se te kush do të trashëgoheshin ato, e nëse nuk gjenin të ashtuquajtur fat i jetës a do të mund të cilësoheshin akoma burra të shtëpisë, të denjë për të mbrojtur e ruajtur emrin e familjes, sepse natyrisht kjo ishte prioritet. Kështu kuptohet pse u bë “shkëmbimi” të cilën në shumicën e rasteve edhe u quajt si dashuri.

Të avancuara sot me mundësinë për stabilitet financiar martesa e asaj kohe s’është më nevojë për gratë. Natyrisht, riprodhimi është dëshirë dhe zgjedhje njerëzore por a duhet të përdoret ky si justifikim që të kryhet stazhi i martesës si proces ligjor në mënyrë që të vazhdohet jeta normale- ose kështu e quajtur nga shoqëria normative?

Pra, argumenti prirës që e hasim në çdo debat për zgjedhjet mbi jetën martesore është krijimi i familjes. Konkretisht, të pasurit fëmijë pa legjitimitetin e lidhjes duket jo etike dhe e papërshtatshme me “normalen” dhe se po të ndodh kjo është kalim i një hapi që gjithë kush duhet të ndërmarrë gjatë jetës. Kjo shtypje jo veçse bie mbi personat në fjalë por edhe reflektohet mbi fëmijën, e si gjithë sytë që bien mbi të i japin etiketën si “i paqëllimshëm, i pa dashur”.

Në anën tjetër kemi stigmën kosovare se çdo lidhje edhe pse shumë vjeçare qoftë me apo pa fëmijë është shumë lehtë e ndarë sepse personat në fjalë nuk kanë marrë asnjë lloj obligimi ligjor për të çmuar lidhjen e tyre. Me kësisoj rrjedhe logjike mund të themi se nënshkrimet mbi një copë letre po e limitojnë pavarësinë e një individi të zgjedh mbi jetën romantike (afatgjate) të tyre veçse njëherësh ka legjitimuar “devotshmërinë” ndaj një personi.

Rrjedhojë kjo e mendimit se potencialisht ndërrimi i partnerëve, sidomos pas një lidhjeje shumë vjeçare, është e pamoralshme (veçanërisht për një vajzë) dhe asesi nuk duhet të ndodhë. Me këto korniza që po vihen nga rrethi shoqëror ajo çka i mbetet një personi, është martesa jo autentike me dikë, veç të ketë kënaqësinë dhe “mosmerakosjen” familja e të tjerët ose të ballafaqohen me fjalët e pafundme paragjykuese e poshtëruese se si beqaria vjen si rezultat i të mos qenurit mjaftueshëm i/e denjë që të të “zgjedh” dikush.

Të shtyrë nga ky mendim veçse popullarizohen martesat e shpejta, të paplanifikuara mirë, pasojë e ndjenjës së vetmisë e cila implikohet nga krahasimi i vetes me “modelet” përreth që duhet t’i ngjash. E vërteta fatkeqësisht duket të jetë rritja e vetmisë akoma edhe më shumë në një situatë ku të tjerë e përshkruajnë si kompletim i vetes. Për më tepër fillon edhe humbja e autenticitetit personal, mosnjohja e personit që sheh përballë e pendimi i kalimit verbërisht të një jete e cila shumë lehtë do të mund të ishte gjithçka që dëshiroje po të mos jetoje në një shoqëri ngulfatëse.

Me të thënë atë, në formë thirrjeje e me qëllim të largimit të stereotipave të lumturisë personale, lirshmëria për të shprehur qëndrimin mbi jetën martesore e rrjedhimisht jetën në përgjithësi duhet të jetë aq e normalizuar sa zgjedhja e një palë këpucëve, një filmi apo thjeshtë të zgjedhurit e pjesës së bukës që dëshiron të hash në mëngjes, sepse të gjitha këto janë të përqendruara kah rehatia personale qoftë ajo e njëjtë si preferencat e shumicës apo e vetmja në rrethinë.






Mbi autoren: Puhizë Januzi është një vajzë 17 vjeçare nga Gjilani e cila ndjek mësimet në shkollë të mesme.






Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon