• Pikëpamja

KAMARIER I DIPLOMUAR

Updated: Sep 18, 2019


Realitetet e gjithsecilit prej nesh shndërrohen në realitete shoqërore në të cilat artikulohen problematikat, brengat e situatat jetësore dhe momentet e shtypjes së përditshme. Këtu e sheh se je pjesë e shoqërisë dhe si i/e tillë duhet të kontribuosh për tërësinë, për të përgjithshmen, për të përbashkëtën.Prandaj,angazhimi shoqëror është determinues për ndryshimet shoqërore që pretendojmë.


Ilustrimi: Argjira Kukaj


Diplomohesh, familjarët e shoqëria atë ditë gëzohen mjaftë shumë me arritjet tua. Urime të shumta e të sinqerta vijnë drejt teje. Disa të urojnë sepse shpresojnë se do të punësohesh në profesionin tënd dhe do t'i shërbesh komunitetit me dijenitë e fituara, sikundër të tjerë të urojnë ndoshta vetëm për të kënaqur egon tënde atë ditë, sepse në realitetit të gjithë janë në dijeni se nuk do të mund të punësohesh në drejtimin të cilin e ke zgjedhur dhe e ke pasion. Për ty që je djersitur dhe me mund e sakrificë ke arritur në jetën tënde akademike duket që nuk do të ketë drejtësi. Vërehet qartazi se meritokracia nuk vlerësohet tash e disa kohë. Ata/o që meritojnë të vlerësohen nuk iu jepet mundësia. Kurse për të ecur përpara disa kanë vendosur të konformohen ndaj kësaj gjendje.


Pas pak kohësh, atëherë kur kalon entuziazmi i të qenit i diplomuar dhe "zgjohesh nga gjumi e fërkon sytë", aty sheh se gjithçka ishte vetëm një ëndërr e bukur dhe tani e pakuptimtë. Atëherë, i përvishesh punës për të konkurruar në drejtimin tënd, por aty përballesh me një realitet të hidhur. Përballja e parë është më e rënda sepse para vetes observon lidhjet e shumta të nepotizmit, sheh se konkurset janë vetëm sa për sy e faqe sepse vendi i punës për të cilin është hapur konkursi de fakto tanimë është i zënë, nuk thirresh në intervistë pune e të tjera.

Pas gjithë kësaj mynxyre, sheh se gjithçka është një dallaver i madh dhe se je një i/e diplomuar jashtë lojës. Kjo gjë pas pak muajsh kthehet në një normalitet me të cilin pajtohesh sepse nuk ke alternativë tjetër. Të humb shpresa se do të mund t'i kontribuosh shoqërisë me drejtimin që ke zgjedhur dhe para vetes ke vetëm dy zgjidhje; të ikësh nga vendi yt dhe të kërkosh punë në vendet tjera të Evropës apo zgjedhja tjetër është të rrish në vendin tënd e të kapësh tabakun për të siguruar një rrogë me të cilën jo që s'mund të mbash familjen por s'mund të sigurosh as veten deri në fund të muajit.


Ata/o që ikin në Evropë punojnë kryesisht ilegalisht sepse ashtu ilegalisht duhet ta kalosh edhe kufirin. Ndërsa ata/o që mbesin vazhdojnë të përballen me një realitet të hidhur në vendin e punës. Fillimisht, nuk të ofrohet kontrata e punës me ç ‘rast shefi mund të të largoj nga puna kur atij të ia dojë qejfi. Nëse lëndohesh në vendin e punës duhet të vet-shërohesh sepse nuk e ke sigurimin shëndetësor, trajtohesh ç‘njerëzisht, shfrytëzohesh, kryen punën sa për tre punëtorë dhe në asnjë moment nuk të lejojnë të ulesh e të pushosh edhe nëse s'ke asnjë klient për të shërbyer.

Duhet të pastrosh e duhet të dish të bëhesh palaço për t'i ndenjur gati fëmijës së klientit kur ai qan. Duhet të buzëqeshësh edhe kur të fyejnë e nënçmojnë. Duhet të konformohesh ndaj autoritetit të shefit në secilin rast edhe kur ai tregon ndonjë shaka koti. Nëse shefi është pa qejf, ti duhet të mësohesh ta bësh budallain për të argëtuar shefin. Të japin bukë të ftohtë e bajate sikundër nëse ka punë s'ka pushim dreke deri sa të qetësohet vlugu i myshterinjve. Gjithçka duket bukur në kafeterinë ku ju pini kafenë e mëngjesit apo ndonjë birrë në mbrëmje, megjithatë gjithçka e bukur është e ndërtuar nga prapaskena të çuditshme të shtypjes sistematike ndaj punëtorit/es.

Shtypesh e tentojnë të të shkelin dinjitetin. Ta mohojnë pushimin e javës dhe nuk u intereson nëse ua lë punën sepse do gjejnë një të ri/e tjetër për ta skllavëruar, një të ri/e tjetër të diplomuar në Juridik, Psikologji a Inxhinieri. Presioni psikologjik ndaj punëtorit/es vetëm vjen duke u shtuar. Shefi orvatet të të bëj spiun brenda punës duke të pyetur për punët e kolegëve të tjerë. Nëse nuk bëhesh spiun atëherë të pret punë edhe më e madhe e njashtu kritika e ankesa të vazhdueshme nga ana e shefit për mos angazhim në vendin e punës. Ky i fundit të kapet aty ku as që e pret, në gjërat më absurde që pjellë imagjinata e shfrenuar e një shefi brutal e jonjerëzor. Duron sa mundesh dhe vjen momenti kur nuk i bën më ballë presionit psikologjik dhe të vjen të ia hedhësh tabakun për fytyre shefit shfrytëzues. Merr një gjysmë rroge dhe fillon të sorollatesh rrugëve për një vend të njëjtë pune ku shtypja është më e vogël.

Duke sjellur tabakun, në mendjen tënde sillen edhe ëndrrat e parealizuara të adoleshencës së hershme dhe para vetes sheh vitet që ecin e sillen si rrota e një veture që dikur ishte e shpejt dhe e cila tashmë ka filluar të vjetërsohet. Mbytesh në mendime, përjeton ankthe ditën e makthe gjatë natës. Qan fatin tënd prej të mjeri i cili nuk e ka më fuqinë për të kundërshtuar. I mjerë i cili është lodhur dhe nuk duron më. Vetëm njeriu i cili ka kaluar këtë rrugëtim mund ta kuptoj brengën tënde të madhe.

Në një moment dëshpërimi, kur hapësira për veprim është e vogël, atëherë kur opsionet janë të pakta, në ato momente kur je brenda një dhome të ngushtë, gjithmonë orvatesh të gjesh një derë të cilën vendos medoemos ta hapësh. Dera është vullneti e forca, kurse hapja e derës është ndryshimi që bën në jetën tënde. Vendos t’i japësh vetes vullnet e forcë për të bërë ndryshimin. Kur del jashtë zonës tënde të rehatisë, pra, jashtë dhomës së ngushtë në të cilën ke jetuar për vite të tëra, sheh se ka dhe të tjerë që vuajnë dhe kanë problemet pothuajse të njëjta, ka dhe të tjerë të cilët kanë vendosur të dalin nga dhomat e tyre për të bashkëndier me vuajtjet e tjetrit, për të ndarë bashkërisht dhimbjet që përjetuan nga shtypja sistematike disavjeçare. Sheh se gjithsecili përballet me realitetin në formën e tij/saj. Nga i vetëm kthehesh në individin brenda grupit. Revolta jote e brendshme bëhet revoltë kolektive.


Realitetet e gjithsecilit prej nesh shndërrohen në realitete shoqërore në të cilat artikulohen problematikat, brengat e situatat jetësore dhe momentet e shtypjes së përditshme. Këtu e sheh se je pjesë e shoqërisë dhe si i/e tillë duhet të kontribuosh për tërësinë, për të përgjithshmen, për të përbashkëtën. Prandaj, angazhimi shoqëror është determinues për ndryshimet shoqërore që pretendojmë.


Kështu, vendos të aktivizohesh e të japësh edhe ti kontributin tënd për shoqërinë. Vendos që në emër të vetes dhe atyre mijëra të shtypurve në vendin e punës, të ngritesh dhe të luftosh për drejtësi, për një të ardhme me perspektivë dhe prosperitet për të gjithë.

Dhe nuk ndalesh së luftuari për lirinë; dhe nuk ndalesh së kundërshtuari padrejtësinë; dhe nuk ndalesh deri sa të fitosh luftën për barazinë e plotë sociale; dhe nuk ndalesh së qenuri udhërrëfyes për brezat e rinj të cilët potencialisht mund të kenë fatin e një të diplomuari tabakier; dhe nuk ndalesh deri sa të përmbushësh idealet e klasës tënde të nëpërkëmbur.


Rrnoftë rezistenca, rrnoftë jeta!





Mbi autorin: Veron Hasani është një djalë 24 vjeçar nga Prishtina i cili ka studiuar Psikologjinë në Universitetin e Prishtinës.



Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




291 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon