• Pikëpamja

IZOLIMI I PERSONAVE ME HIV/AIDS


Në shumë raste personat që janë më të rrezikuar nga HIV/AIDS (pjesa kryesore e prekur e popullsisë) vazhdojnë të përballen edhe me stigmë dhe diskrimin bazuar po ashtu në statusin e tyre aktual ose të perceptuar shëndetësor, më pas edhe racën, statusin socio-ekonomik, moshën, seksin, orientimin seksual ose identitetin gjinor apo edhe baza të tjera.





Ilustrimi: Argjira Kukaj


AIDS është bërë e njohur si sëmundje në vitin 1981 në SHBA. Infeksioni i HIV/ AIDS vazhdon të përhapet me ritme alarmante në botë. Llogaritet se çdo ditë infektohen rreth 13,500 njerëz në të gjithë botën.

Si çdo vend tjetër edhe Kosova është prekur nga HIV/AIDS. Në Kosovë që nga paraqitja e rastit të parë në vitin 1986 e deri në 2018 janë të prekur 119 persona me këtë virus. Ku 71 persona ishin me AIDS dhe 48 të tjerë me HIV infeksion. Vetëm në vitin 2019 janë tri raste të identifikuara me virusin HIV/AIDS. Ani pse në shikim të parë numrat e të prekurve me HIV në Kosovë mund të duken të vogla, është tejet e rëndësishme që të punohet në parandalim.

Personat që jetojnë me HIV/AIDS përveç që përballen me mjekime ata/ato përballen çdo ditë edhe me stigmatizimin, diskriminimin dhe mos-ruajtjen së konfidencialitetit nga shoqëria, institucionet publike, shëndetësore dhe arsimore, për shkak të statusit të tyre shëndetësor. Pra, tabuja rreth kësaj sëmundjeje, vlerat ‘morale’ të shoqërisë në një kontekst të caktuar kohor siç është rasti në Kosovë dhe paragjykimi social i çdo individi, bën që personat jo vetëm të shihen si viktima, por shpesh edhe si të ndëshkuar.

Kjo stigmë dhe diskriminim shpesh mund t’i bëj njerëzit të cenueshëm nga HIV/AIDS, duke i bërë ata/o që të hezitojnë të informohen, edukohen e të kërkojnë ndihmë. Në shumë raste personat që janë më të rrezikuar nga HIV/AIDS (pjesa kryesore e prekur e popullsisë) vazhdojnë të përballen edhe me stigmë dhe diskrimin bazuar po ashtu në statusin e tyre aktual ose të perceptuar shëndetësor, më pas edhe racën, statusin socio-ekonomik, moshën, seksin, orientimin seksual ose identitetin gjinor apo edhe baza të tjera.



Kjo stigmë dhe ky diskriminim manifestohet në shumë mënyra. Diskriminimi dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut madje mund të ndodhin edhe në mjediset e kujdesit shëndetësor, duke ndaluar njerëzit që të përdorin shërbime shëndetësore ose të gëzojnë kujdes shëndetësor cilësor.

Disa njerëz që jetojnë me HIV dhe popullsitë e tjera të prekura kyç janë të turpëruar nga familja, bashkëmoshatarët dhe komuniteti më i gjerë, ndërsa të tjerët përballen me trajtim të keq në mjediset arsimore dhe të punës, shkelje të drejtave të tyre dhe dhunë psikologjike. Ndër faktorët që shpjegojnë këto qëndrime negative janë: niveli i ulët i informacionit për HIV/AIDS-in, për mënyrat e transmetimit dhe mbrojtjen nga virusi HIV.

Arsimi luan një rol të rëndësishëm për të adresuar këto paragjykime, për informim dhe edukimit mbi HIV/AIDS. Nga studime të ndryshme dhe në shumë kultura, rezulton se edukimi seksual i hershëm inkurajon vetë-përgjegjësinë tek adoleshentët dhe të rinjtë. Fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë/rejat që kanë mungesë informacioni tentojnë të hyjnë në marrëdhënie të hershme seksuale ose të kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura. Përvoja tregon se adoleshentët dhe të rinjtë/rejat kanë nevojë për aftësi jetësore të tilla si vendimmarrja, komunikimi dhe negocimi. Ata/ato kanë nevojë të kuptojnë konceptet e sjelljeve të rrezikshme, si marrëdhënia seksuale e pambrojtur, përdorimi i alkoolit dhe drogave, pasojat e mundshme të sjelljeve të tilla dhe si t’i evitojnë ato. Ata/ato kanë nevojë të dinë ku të shkojnë për shërbime apo ndihmë. Edukimi mbi HIV/AIDS-in në shkolla në Kosovë duhet t’i mbulojë të gjithë këto aspekte. Megjithatë, pavarësisht, rëndësisë që ka informimi mbi këto tema në shkollë dhe ndikimin në parandalim dhe mbrojtje nga infektimi me HIC, në shkollat tona kjo temë thuajse gjithmonë tejkalohet.


Shpesh fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve/rejave u mohohet edukimi shëndetësor dhe seksual në shkollë, pasi prindërit dhe mësuesit për shkak të tabuve ekzistuese, kanë frikë se mos debate të tilla inkurajojnë aktivitetin seksual të parakohshëm. Pra, adoleshentët dhe të rinjtë/rejat vazhdojnë të jenë një grup i rrezikuar për shkak të eksplorimit dhe mungesës së përvojës seksuale në këto mosha. Prandaj, në shkolla është e domosdoshme që të ketë programe trajnimi, edukimi, diskutime dhe aktivitete të tjera për ndërgjegjësimin dhe dhënien e informacionit për mbrojtjen dhe parandalimin e HIV/AIDS. Sa më të informuar të jenë fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë/rejat për çështjen e abuzimit, dhunës seksuale, informimit mbi seksin, aq më të mbrojtur dhe të sigurt janë ata/o ndaj HIV/AIDS-it.

Prandaj është shumë me rëndësi që në shkollë fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë/rejat të kenë më shumë mundësi për forma të ndryshme alternative të edukimit duke përfshirë edhe përdorimin e rolit që luan personalizimi i çështjeve, edukimit bashkëmoshatar etj sepse do promovojnë sjellje të përgjegjshme mes vetë fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.




Mbi autoren: Vesa Piskala, 16 vjeçare nga Fushë Kosova, nxënëse në shkollën e mesme “Hivzi Sulejmani” në drejtimin e Gjimnazit Natyror.







Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).



164 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon