• Pikëpamja

HESHTJA QË BËN DËM

Updated: Jan 13


Ideja se është turp nëse ke nevojë për ndihmë, është absurde. Askujt nuk i vjen turp që të kërkojë ndihmë të shëroje një dorë të thyer te një ortoped. E pse me i bo të tjerët të mendojnë se është turp me kërku ndihmë me trajtu depresionin te një psikolog/e?




Ilustrimi: Argjira Kukaj


Deri vonë, me fjalën shëndet kemi menduar vetëm për shëndetin fizik, duke e neglizhuar shëndetin mendor, i cili është po aq i rëndësishëm sa ai fizik. Megjithëse problemet mendore në ditët e sotme shpesh janë temë, ka ende shumë njerëz që jetojnë në injorancë, në vazhdimësi duke mirëmbajtur stigmën rreth problemeve mendore. Veçanërisht, në një kontekst kulturor të tillë si tek ne, ku pavarësisht nevojës së madhe për të adresuar problemet e shëndetit mendor, ende nuk flitet mjaftueshëm për to dhe nuk bëhet mjaftueshëm për të tejkaluar stigmën rreth problemeve të shëndetit mendor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) ekzistojnë rreth 450 milionë njerëz në mbarë botën me çrregullime psikologjike. 85% e këtyre njerëzve nuk kanë qasje tek shërbimet e shëndetit mendor. Realitet e përvoja të ngjashme gjejmë edhe këtu në Kosovë.

Pra, është e dhimbshme kur sheh se shoqëria jonë nuk iu ofron ndihmë personave në nevojë, që mendojnë se të ndjehesh në ankth nuk është problem i madh, apo të kesh depresion nuk është gjendje që kërkon trajtim. E kështu krijohen stigmat, e kështu nuk dalin fjalët. Fjalët që nevojiten të thuhen. Se njerëzit nuk ndihen të sigurt me u shprehë. Nuk ndihen të lirë të kërkojnë ndihmën që ju nevojitet. Është e dhimbshme të shohësh se, nganjëherë, kjo mendja jonë komplekse mundet të mendojë aq pak e aq cekët. Për më shumë sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë stigma ndaj shëndetit mendor është një shkak kryesor i diskriminimit dhe përjashtimit. Ajo ndikon në vetëvlerësimin e njerëzve, kontribuon në prishjen e marrëdhënieve të tyre me familjen dhe kufizon aftësinë e tyre për t'u shoqëruar e për t’u punësuar. Pra, stigmatizimi i shëndetit mendor ka shumë efekte të dëmshme si ngurrimi për të kërkuar ndihmë ose trajtim; mungesa e mirëkuptimit nga familja, miqtë ose të tjerët; ngacmimi ose dhuna fizike; më pak mundësi për punë, shkollim ose aktivitete sociale. Stigma pengon parandalimin e çrregullimeve të shëndetit mendor, promovimin e mirëqenies mendore dhe sigurimin e një trajtimi dhe kujdesi efektiv. Ajo gjithashtu kontribuon në abuzimin e të drejtave të njeriut.

Prandaj, shumë persona me probleme të shëndetit mendor mbeten pa trajtim për shkak se heshtin, se një herë dikush iu ka thënë “Jo bre se mirë je”, “Hajt se bohet mirë” . Nuk mundet me u bo mirë vet. Ne duhemi me bo mirë. Psikologu klinik Visar Sadiku thotë se niveli i vetëdijes për shëndetin mendor në shoqërinë tonë është ende jo i kënaqshëm dhe se shumë njerëz ngurrojnë të kërkojnë ndihmë si rrjedhojë e kësaj.


Pse shpesh ndodhë fenomeni i heshtjes e hezitimit për të folur për shëndetin mendor sipas psikologut Fikri Hajdari ka të bëj me atë se: “Njerëzit me sëmundje mendore kanë tendencë të gjykohen më lehtë nga të tjerët, të mos u jepen privilegje të caktuara në shoqëri, të emërtohen me emra nënçmues dhe ofendues, mbështetje jo e mjaftueshme sociale bëjnë që ata të qëndrojnë më të heshtur për të folur në lidhje me shqetësimet e tyre”.

Hezitimi për kërkim të ndihmës dallon edhe mes sekseve, ku sipas një studimi të Abuzimit të Substancave dhe Shërbimit të Shëndetit Mendor (SAMHSA), numri i burrave që kërkojnë trajtime për problemet e shëndetit mendor është më i ulët se sa numri i grave me të njëjtat vështirësi.

Ideja se është turp nëse ke nevojë për ndihmë, është absurde. Askujt nuk i vjen turp që të kërkojë ndihmë të shëroje një dorë të thyer te një ortoped. E pse me i bo të tjerët të mendojnë se është turp me kërku ndihmë me trajtu depresionin te një psikolog/e? Prandaj, duhet të punojmë që me u ndal paragjykimet e stigma ndaj shëndetit mendor. Problemet me shëndet mendor nuk kërkojnë paragjykime e neglizhim, por mbështetje. Është shumë e thjeshtë. Vetëm duhet me u ndal, e me kuptu, qe duke sjell stigma e urrejtje, nuk mundemi me arritë me pas një botë më të mirë e me të sigurt. Duhet të gjithë të angazhohemi që të krijojmë një hapësirë të sigurt për të kërkuar ndihmë e të flasim pa hezitim për vështirësi e probleme të shëndetit mendor. Nuk duhet me hesht. As për bullizmin që bëhet për shkak të shëndetit mendor, as kur nuk ka barazi mes njerëzve me shëndet të ndryshëm mendor, e as me u ndal tu e thënë deri sa ta kuptojnë të gjithë, se secili e ka të drejtën e një jete të shëndetshme.


Shënim: Nëse keni nevojë për ndihmë në lidhje me problemet apo shqetësimet që keni për shëndetin tuaj mendor, mund ta kontaktoni linjën telefonike për parandalim të vetëvrasjes “Linja e Jetës” duke thirrur në numrin 0800 12345 (çdo ditë prej orës 21:00 deri në 01:00).





Mbi autoren: Rudina Zeqiri, 18 vjeçare nga Prishtina, ka përfunduar shkollën e mesme në drejtimin e shkencave shoqërore.










Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).



55 views0 comments

© Shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Instagram Icon