• Pikëpamja

EKSTREMIZMI RADIKAL BIPOLAR


Ekstremizmi nuk mund ta mposht ekstremizmin, por përkundrazi këto të dyja do e ushqejnë njëra tjetrën duke shkaktuar pasoja të vështira në shoqërinë tonë. Duhet si shoqëri të mësojmë të mos përgjithësojmë gjëra dhe të ulemi të bisedojmë me arsye dhe me respekt të ndërsjellët se si duhet të gjejmë zgjidhje.





Ilustrimi: Argjira Kukaj


Si i ri gjithmonë kam qenë i interesuar për dukuritë e ligjet e kësaj bote që nuk mund të shpjegohen apo edhe të shihen. Pra, thjesht i kam bërë pyetje realitetit tim. Personalisht kjo gjë pastaj ka rezultuar që të drejtohem nga feja. Por, kam hasur probleme të shumta në fillimin e kërkimit të informatave rreth fesë që e parapëlqeja e që është Islami dhe arsyeja është që nuk kisha se ku të gjeja një burim informacionesh të sakta dhe të pa mveshura me ndonjë petk radikalizmi. Për fat të mirë, kam seleksionuar informatat dhe ato informata të dyshimta i kam hedhur dhe nuk i kam pranuar por kam bërë edhe më shumë hulumtime gjersa e kuptova fenë plotësisht drejtë. Shumë të rinj, që në vete ngërthejnë një karakter religjioz vërdallen për këto informacione dhe përfundojnë në marrjen e tyre tek individë ose grupacione radikale që shumojnë individë tjerë sikur bakterie epidemike. Qasja e tyre me këto grupe zakonisht ndodh me anë të internetit ku manipulimi është më i lehtë për arsye të komunikimit tejet të lehtë. Dhe kështu këta të rinj, me informata tejet të gabuara rreth fesë shndërrohen në kukulla të agjendave të ndryshme.


Prandaj, mungesa e informacioneve të sakta rreth fesë është një nga shkaktarët e radikalizmit të rinisë sonë. Por, a mund ta rregullojmë këtë gjë? Kjo pyetje tash na dërgon tek lloji i tjetër i ekstremizmit radikal në shoqërinë tonë. Urrejtja absurde që iu drejtohet besimtarëve mysliman me pretekstin se kinse të jesh religjioz do të jesh automatikisht një ekstremist apo radikal. Këtë urrejtje e shoh çdo ditë në jetën time, teksa i them dikujt që unë falem 5 herë në ditë dhe ai automatikisht mendon se unë jam një njeri radikal apo se kam një agjendë inflitrmi prapa shpinës.

Kurse të tjerët supozojnë se unë nuk flas tjetër por vetëm për tema fetare ku ata plotësisht gabohen pasi unë jam i interesuar dhe bisedoj si gjithë të rinjtë tjerë për sport, botën e filmit, kulturë, muzikë, botën e librit etj. Të qenit religjioz nuk do të thotë që je rast sui generis apo je i ndarë nga të tjerët.

Shkelje tjetër kemi edhe kur disa përzihen se si dikush duhet të vishet, të vendos shami mbi kokë apo jo, të ketë mjekër apo të mos ketë. Njeriu, është i lirë të vishet si të dojë, të vendos shall, shami, kapele pastaj mund të rris mustaqet apo mjekrën. Këto të drejta pranohen anë e kënd Evropës demokratike e edhe në Shtetet e Bashkuara. Disa jetojnë me pretekstin se për t’u bërë “evropian” duhet ta ofendosh dhe ta privosh një mysliman që jeton me parimet e veta pa i bërë keq askujt, kjo gjë nuk vlen fare pasi po kalon në anën e kundërt të vlerave të evropianeve apo demokracisë që kinse synojnë të bëhen. Dhe ky lloj ekstremizmi na kthen sërish tek pyetja ime që e dhashë më lartë.


Ekstremizmi nuk mund ta mposht ekstremizmin, por përkundrazi këto të dyja do e ushqejnë njëra tjetrën duke shkaktuar pasoja të vështira në shoqërinë tonë. Duhet si shoqëri të mësojmë të mos përgjithësojmë gjëra dhe të ulemi të bisedojmë me arsye dhe me respekt të ndërsjellët se si duhet të gjejmë zgjidhje.


T’ia mundësojmë atyre që kanë interes mbi aspektin religjioz t’i gjejnë informatat e sakta në familje, në shkollë, në objektet fetare të kontrolluara dhe verifikuara si burime të sigurta, në shoqëri etj. Dhe te mos ofendojmë gjithçka që ka të bëjë me religjionin dhe të mos vazhdojmë ta pengojmë mësimin e saktë të fesë se pastaj kemi bërë një shkelje të të drejtave thelbësore të njeriut dhe jemi shndërruar në të kundërtën e demokracisë, komunizmin.



Mbi autorin: Shefket Bujari është një djalë 19 vjeçar nga Suhareka i cili vijon studimet për gazetari në Universitetin e Prishtinës.


Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon