• Pikëpamja

E ARDHMJA IME, VENDIM I IMI


Të humbja një vit duke pauzuar nuk ishte edhe aq e keqe sa të tjerët më bënin ta mendoja si të tillë. Shumica e njerëzve që takoja më jepnin reagimet e njëjta; “Pse një vit pushim? A nuk po të dhimbset a?”, “Çu regjistrohu ma mirë dikun, se me mbetë e me të shku një vit huq”, “ Ti pushim a? Po ti je nxënëse e mirë!”. Nuk befasohesha nga këto reagime, i prisja, sepse për ne nuk ka rëndësi ëndrra apo çfarë me të vërtetë dëshirojmë, por ka rëndësi diploma.




Ilustrimi: Argjira Kukaj


I gjithë presioni dhe ankthi filloi pas mbarimit të vitit shkollor. E dija që vetëm disa muaj më ndanin nga marrja e një vendimi për të ardhmen time. Nëse më duhet të jem e sinqertë, të bëja një vit pushim nuk ishte një zgjedhje të cilën e mendoja me dëshirë, dhe isha më se e sigurt se do zgjedhja patjetër diçka. Mirëpo me kalimin e ditëve, shqetësimi im vetëm sa vinte e shtohej. Ishte pa diskutim ndër pushimet verore më stresuese që i kam kaluar ndonjëherë. Nuk doja të takoja e të flisja me askënd, sepse e dija se më priste pyetja e njëjtë nga të gjithë, dhe e ndjeja që duhej të jap ‘’llogari’’, mirëpo nuk kisha një përgjigje. Mundohesha t’ju ikja këtyre pyetjeve, por në anën tjetër më frikësonte fakti që këtë përgjigje ende nuk e dija as unë. Ndihesha e paaftë dhe ndryshe nga moshatarët e mi të cilët tashmë kishin zgjedhur drejtimin e tyre. Më dukej se humbja e një viti është një gjë shumë madhe...

Pas fillimit të vitit akademik në tetor, çdo ditë shihja shokët e shoqet të cilët po fillonin jetën e tyre studentore. Mendoja se ata ishin duke bërë diçka produktive në jetën e tyre, e unë po rrija e mbyllur në shtëpi duke i parë ata. Nuk mund të them se nuk ndjeja njëfarë ‘’xhelozie’’ ndaj tyre, e keqardhje për gjendjen në të cilën isha unë.

Të humbja një vit duke pauzuar nuk ishte edhe aq e keqe sa të tjerët më bënin ta mendoja si të tillë. Shumica e njerëzve që takoja më jepnin reagimet e njëjta; “Pse një vit pushim? A nuk po të dhimbset a?”, “Çu regjistrohu ma mirë dikun, se me mbetë e me të shku një vit huq”, “ Ti pushim a? Po ti je nxënëse e mirë!”. Nuk befasohesha nga këto reagime, i prisja, sepse për ne nuk ka rëndësi ëndrra apo çfarë me të vërtetë dëshirojmë, por ka rëndësi diploma.


Këto reagime e shumë të tjera patën ndikim të madh tek unë duke më shkaktuar presion psikik. Kur takova njërin nga profesorët e gjimnazit, ai më pyeti se çfarë kisha vendosur të bëja në vazhdim, i thashë se po mendoja të studioja psikologjinë, e reagimi i tij qe i papritur. Më tha se nuk është vendim i duhur, se psikologjia nuk ka perspektivë në vendin tonë, e sipas tij duhej të zgjidhja një profesion i cili kërkohet sot. Ma rekomandoi logopedinë, dhe tha se është drejtim i ri e shumë i kërkuar në vendin tonë. Po ashtu tha se pagesa është shumë e mirë.

Por, a është paraja e vetmja gjë që ka rëndësi? A duhet sakrifikuar çdo ëndërr për hirë të një profesioni që të sjell shumë fitim? Edhe pse ky faktor ka rëndësinë e vet, e sidomos në një vend si ky i yni, ku shumica e profesioneve nuk sjellin të ardhura të mjaftueshme. Mirëpo cili është qëllimi i të bërit diçka që nuk të pëlqen? Diçka për të cilën nuk do ndiheshe krenar/e, e në fund të fundit do identifikoheshe me të.

Domethënë duhej të hiqja dorë nga ëndrrat e dëshirat e mia e të zgjidhja diçka që nuk më pëlqen. Nuk i duroja dot më këshillat që më drejtoheshin tërë kohën. I kisha dëgjuar me mijëra herë por që prapë se prapë nuk më ndihmonin aspak, përkundrazi ato vetëm sa më vështirësonin vendimin.


Nuk dua të bie pre e presioneve të tilla për një diplomë që në fund të ditës mund të më mbetë në sirtar, e t’i kaloj tri vite të jetës duke studiuar diçka që nuk e dua. Kur dëgjoj nga shokët dhe shoqet e mia ankesat e tyre, më bën të ndihem më e sigurt dhe më e lumtur me vendimin tim për të pauzuar, ngaqë shumë prej tyre thonë se kanë zgjedhur shumë shpejtë, pa menduar mirë, ose thjeshtë kanë zgjedhur një drejtim sa për të mos mbetur në pauzë.

Unë për vete nuk po mendoj t’i çoj dëm vitet e mia duke zgjedhur diçka që nuk më pëlqen e do pendohem në të ardhmen, por në vend të saj do humbi një vit duke bërë pushim, mirëpo jo pushim në kuptimin e vërtetë të fjalës, për shkak se do mundohem të angazhohem duke marrë pjesë në shumë aktivitete, e duke u munduar ta gjejë veten dhe të vendosi më të mirën e mundshme për të ardhmen time.





Mbi autoren: Diellza Jëlliqi është një vajzë 18 vjeçare nga Prizreni e cila ka përfunduar shkollën e mesme.





Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




104 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon