• Pikëpamja

BULLIZMI SI PJESË E SHOQËRISË, PASOJAT DHE LUFTA KUNDËR TIJ!


Pasojat e bullizmit mund të kenë efekte afatshkurta dhe afatgjata për të gjithë personat e përfshirë, si në aspektin psikologjik (duke përfshirë depresionin, ankthin, vetëvlerësimin e ulët, etj.), në aspektin fizik (si lëndimet fizike etj.) por edhe në performancë akademike. Përvojat individuale tregojnë që në shoqërinë tonë shpesh mund të ndodhë që viktimat e bullizmit të mos mbrohen nga të tjerët por mbesin vetëm. Rrjedhimisht, mungon vetëdijesimi për pasojat e asaj se çfarë bullizmi mund të i shkaktoj viktimës.






Ilustrimi: Argjira Kukaj


Bullizmi si dukuri negative ekziston tash e një kohë të gjatë. Bullizmi është sjellje e padëshiruar, agresive që përfshin një çekuilibër real ose të perceptuar të fuqisë. Sjellja përsëritet, ose ka potencialin e përsëritjes, me kalimin e kohës. Pra, bullizmi mund të ndodh kudo dhe kurdo. Edhe pse në shumicën e rasteve bullizmi ndodh tek adoleshentët, mund të jetë prezent edhe tek të rriturit. Nëse nuk e parandalojmë një sjellje të tillë, atëherë rrezikon të normalizohet si sjellje dhe të bëhet përditshmëri e jona. Bullizmi ekziston në disa forma, siç bullizmi verbal, fizik dhe shoqëror.

Sipas “Psychology Today”, bullizmi shpesh ndodh brenda dhe përreth shkollës dhe fushave të lojërave, megjithëse kohëve të fundit interneti është po ashtu një mjedis ku fenomeni i bullizmi është bërë veçanërisht shqetësues. Pasojat e bullizmit mund të kenë efekte afatshkurta dhe afatgjata për të gjithë personat e përfshirë, si në aspektin psikologjik (duke përfshirë depresionin, ankthin, vetëvlerësimin e ulët, etj.), në aspektin fizik (si lëndimet fizike etj.) por edhe në performancë akademike. Përvojat individuale tregojnë që në shoqërinë tonë shpesh mund të ndodhë që viktimat e bullizmit të mos mbrohen nga të tjerët por mbesin vetëm. Rrjedhimisht, mungon vetëdijesimi për pasojat e asaj se çfarë bullizmi mund të i shkaktoj viktimës. Veçanërisht shqetësuese janë pasojat psikologjike sepse, vetmia e krijuar brenda vetes duke mos dashur e u frikësuar që të shprehin me përjetimet e tyre, as me familjarët, mund të shkaktojë më pas pasoja të ndryshme që qojnë në edhe zhvillim të ankthit e depresionit. Bota e tyre mund të shndërrohet në një vend të errët e të pabanueshëm. E gjithë kjo gjendje mund të ketë edhe pasoja me fatalitet. Por, mund të ndodhë që personat të mos e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh viktimë e bullizmit dhe pasojat që mund shkaktojë ai.


Një studim i bërë në shkurt të këtij viti nga kompania e hulumtimeve “Pyper”, thuhet se bullizmi është më së shumti i pranishëm në shkollat e mesme dhe shkollat fillore, ndërsa një përqindje më e vogël është në Universitete/kolegje.


“Prej të gjitha institucioneve arsimore, pjesëmarrësit konsiderojnë se dukuria e bullizmit më së shumti është e pranishme në shkollat e mesme (58.31%) dhe shkollat fillore (31.94%) si dhe në një përqindje më të vogël në universitet/kolegj (4.37%). Po ashtu, vlen të theksohet se prej të gjitha llojeve të pranishme të bullizmit në Kosovë, bullizmi verbal (55.79%) është konsideruar si lloji më prezent i bullizmit nga pjesëmarrësit, duke lënë pas atë kibernetik (25.16%), si dhe fizik (17.91%)”, shkruhet në raportin e “Pyper”.

Sipas të dhënave në platformën stopbullying.gov, nuk ka ndonjë profil të vetëm të një personi të përfshirë në bullizëm. Rinia që ngacmojnë mund të jenë ose të lidhur mirë me shoqërinë ose të jenë të margjinalizuar, dhe mund të ngacmohen nga të tjerët gjithashtu. Në mënyrë të ngjashme, ata/o që ngacmohen ndonjëherë ngacmojnë të tjerët.


Shembull, raste të thjeshta por mjaft delikate, janë grupacionet të cilat formohen nëpër klasa e disa pakicë nga ata/ato mbesin vetëm duke mos i pranuar askush në grupet e tyre. Secili/a nga ne kemi nga një rast kur të paktën një herë jemi ndjerë inferior. Nëse parashtrohet pyetja se si jemi ndje ose ndjehemi ato momente natyrisht përgjigjja është e qartë: i/e pa vlerë, ndryshe nga të tjerët, i/e vetmuar e i/e tepërt në mesin e tyre. Atëherë pse nuk ndalemi një minutë duke i ditur të gjitha të këqijat që po shkakton kjo dukuri pse nuk ndihmojmë viktimat e bullizmit por ndalemi e qeshim bashkë me ngacmuesin e bëjmë edhe më të ‘veçantë’? Nëse ka përkrahje natyrisht do të vazhdojë të shkaktojë viktima tjerë. Pse nuk fillojmë të bëjmë një ndryshim rrënjësor në kulturat tona ta zhdukim këtë dukuri të mos i lëmë vend në shoqëritë tona? Tashmë janë ngacmuesit ata të veçuarit, jo viktimat. Ata duhen të i ndihmojmë të ndryshojnë dhe personat që janë viktimë e bullizmit t’i mbështesim ta tejkalojnë këtë.


Prandaj është e rëndësishme të investohet në programe edukimi dhe socializimi që nga familja, në shkollë e komunitet, sepse varësisht si janë të edukuar dhe të socializuar fëmijët, ata/o do t’i zbatojnë edhe ato sjellje në shoqëritë e tyre, qoftë në shkollë apo rrugë. Duhet pasur kujdes se si i trajtojmë të tjerët. Mësimdhënësit/et dhe edukatorët/et duhet të angazhohen po ashtu në parandalim të këtij fenomeni negativ, sepse, përveç tjerash ata/ato janë edhe pasqyrë për nxënësit/et. Të punojmë që ta adresojmë bullizmin, sepse bashkë mund t’i plotësojmë mangësitë tona sepse pavarësisht që secili jemi të ndryshëm, ne jemi të barabartë.






Mbi autoren: Kaltrinë Hyseni, 19 vjeçare nga Podujeva, është studente e vitit të parë në Fakultetin Juridik-UP.











Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).



62 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon