• Pikëpamja

ANIMIMI I NJË KOMUNITETI!


Anibar angazhohet për thyerjen e apatisë qytetare përmes aktivizmit kulturor.




Ilustrimi: Argjira Kukaj


Cilado veprimtari që i është kundërvyer mendësisë konzervative në qytetet tona është paraqitur si iniciativë aktiviste. Me anë të cilës është synuar ndryshimi i normave ose kundërshtimi i shkeljeve që janë ushtruar ndaj hapësirës publike, të drejtave të njeriut, mjedisit dhe të mirave tjera publike. Anibar e ka marrë këtë rol në qytetin e Pejës, si një organizatë e përbërë nga artivist që janë angazhuar për të thyer apatinë qytetare përmes aktivizmit kulturor. Fillimisht si kundërpërgjigje ndaj mungesës së aktivitetit kulturor në qytetin e Pejës, duke e filluar festivalin ndërkombëtar të filmit të animuar e më vonë edhe si organizim për çlirimin e publikes dhe rivitalizimin e resurseve publike.


Përgjatë 10 viteve të ekzistencës si organizim formal Anibar vazhdimisht e ka riformësuar veten për t’iu përgjigj nevojave të komunitetit dhe për t’i bërë qytetet tona ma të jetueshme për të gjithë. Angazhimi për të mirën e përgjithshme ka ardhur në formë të fushatave, ndërhyrjeve publike, peticioneve, performancave dhe mjeteve tjera të cilat janë përdorur për të rrit vetëdijen qytetare dhe rritjen e aktivizmit. Ky angazhim zakonisht është nxit kryesisht prej dy faktorëve; njëri i jashtëm e tjetri i brendshëm. Ky i jashtmi si cenues i veprimtarisë publike, cenues i drejtave dhe lirive, cenues i hapësirës publike, po edhe i paraqitur për interesin privat ose të një grupi të vogël të individëve. Ndërsa, i brendshmi si zell për të përparuar, zell për të përparuar veprimtarinë (në këtë rast animacionin), zell për të rritur qasjen dhe përfshirjen e grupeve tjera, zell për të zhvilluar metoda të reja për pjesëmarrjen në qeverisje po edhe për tu rrjetëzuar me organizata dhe qendra tjera kulturore që kanë të njëjtat vlera.


Ndikimi i këtyre dy faktorëve mund të shihet edhe në temën e edicionit të fundit të festivalit Anibar - Shpresat dhe Frikat (Anglisht: Hopes and Fears). Shpresa, që vjen me angazhimin për të përparuar, për të rritur numrin e animatorëve/eve, për të shfaqur filma edhe tek komunitetet pakicë, për të edukuar gjeneratën e re të animatorëve/eve. Frika, që vjen me cenimin e hapësirës publike, privatizimin e kinemasë, ikjen e të rinjve nga vendi, vendosjen e Lumbardhit në gypa dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.

Në edicionin e fundit të festivalit jemi pajtuar që vetëm duke i eksploruar dhe diskutuar këto frika e shpresa mund të nxisim angazhim. Angazhim që na shtynë për tu marr me rritjen e indiferencës përball sfidave që po e kërcënojnë jo vetëm civilizimin tonë po edhe ekzistencën. Një angazhim që na shtyn të përmirësojmë veprimet tona individuale dhe të përbashkëta.


E çka kemi kuptuar përgjatë këtyre viteve të fundit të aktivizmit është që ky balancë në mes të aktivizmit si formë e kundërshtimit ndaj cenimit të hapësirës për të vepruar ( i asociuar me frikë) dhe aktivizmit si formë e përparimit (i asociuar me shpresë) ka bërë që komuniteti ta formojë veten përball sfidave dhe të tregoj solidaritet e përkushtim për të përmirësuar gjendjen.


Prandaj, Anibar do të vazhdoj që të angazhohet në thyerjen e apatisë qytetare përmes aktivizmit kulturor edhe për vitet në vijim deri sa të kemi qytete të jetueshme për të gjithë.







Mbi autoren/in: Anibar është festival ndërkombëtar i animacionit i cili mbahet në qytetin e Pejës.




34 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon