• Pikëpamja

AKTIVIZIMI PËR KOMUNITET DHE PËRFSHIRJA E RINISË


Aktivizimi i gjithësecilit/ës nga ne, përkthehet në ndryshimin që e duam në shoqëri. Vullneti dhe dëshira e të rinjve për aktivizëm nuk mungon, por është shumë e rëndësishme që të krijohen kushte për aktivizëm, dhe të ofrohet mbështetje nga institucionet e vendit. Vullneti, përgjegjësia, ndershmëria, integriteti, mbështetja dhe përkushtimi e bën edhe më të fuqishëm angazhimin e gjithësecilit/ës nga ne, për shoqërinë.


Ilustrimi: Argjira Kukaj


Si një e re me plot vullnet e entuziazëm gjithmonë zgjohesha me mendje tek idetë që lundronin në mendjen time për të bërë diçka për të mirën e komunitetit që më rrethon, ide t’cilat nuk kisha ku t’i adresoja. Entuziazmi im vazhdonte edhe më shumë me pjesëmarrjen time në aktivitete të ndryshme që zhvilloheshin në kryeqytetin e vendit tonë, por në qytetin ku jetoj, Gjilanin, aktivitetet e tilla ishin të mangëta në proporcion me vullnetin që kisha. Si në nivel vendi ashtu edhe në Gjilan problem tjetër kyç mbetet papunësia. Si pasojë papunësisë dhe mungesës së aktiviteteve rinore, rutina tyre përkthehet në frekuentim të kafiterive dhe qëndrimi i tepërt në rrjete sociale. Këtë brengë që kishim ne si të rinj menduam që rruga më ideale për t’i bashkuar idetë tona, është që të hapim një organizatë jo-qeveritare, ku mund të mblidhemi të gjithë të rinjtë duke inicuar nisma në të mirën e komunitetit. Mbështetjen për hapjen e organizatës e morëm nga udhëheqësi i organizatës ‘’T-Consulting’’, Fisnik Isufi, i cili na ndihmoi në të gjitha procedurat për nismën e hapjes së organizatës “Vullnetarët e Qytetit”, e cila tashme është funksionale që nga fillimi i vitit 2019.


Nismën e parë që e morëm me funksionalizimin e organizatës ishte monitorimi i shpenzimeve komunale në komunat e regjionit të Anamoravës, ku nga secila komunë kemi përfshirë të rinj nga të gjitha komunitetet në zbatimin e kësaj iniciative, të dhënat që kemi marrë nga komunat përkatëse i kemi shpërndarë tek qytetarët përmes buletineve, dhe këtë nismë qytetarët e mirëpritën jashtëzakonisht mirë. Duke pasur parasysh se një pjesë e buxhetit është nga taksat e qytetarëve, përmes kësaj nisme patën mundësi të informohen se në çfarë politika më së shumti fokusohet buxheti i komunës së tyre. Iniciativa e dytë që kem ndërmarrë si organizatë e të rinjve, është organizimi i aktiviteteve edukative, kulturore dhe artistike në ambient të hapur. Në këto aktivitete patën mundësi të përfshihen të rinj nga të gjitha komunitetet.

Ne si organizatë, do të vazhdojmë me nisma të tjera si në: edukim, kulturë dhe në mbrojtje të ambientit, duke përfshirë sa më shumë vullnetarë në aktivitetet e këtyre nisma për t’i jetësuar ato në komunitet. Pra, secili/a i/e re ka mundësi të përfshihet në aktivitetet e nismave tona, për të kontribuar në komunitet. Aktivizimi i gjithësecilit/ës nga ne, përkthehet në ndryshimin që e duam në shoqëri.

Vullneti dhe dëshira e të rinjve për aktivizëm nuk mungon, por është shumë e rëndësishme që të krijohen kushte për aktivizëm, dhe të ofrohet mbështetje nga institucionet e vendit. Vullneti, përgjegjësia, ndershmëria, integriteti, mbështetja dhe përkushtimi e bën edhe më të fuqishëm angazhimin e gjithësecilit/ës nga ne, për shoqërinë.



Mbi autoren: Ardianë Halimi është një vajzë 21 vjeçare nga Gjilani, studente në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, në drejtimin për juridik.




Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi - E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.




80 views

© fondacioni shtatëmbëdhjetë

  • White Facebook Icon
  • White Twitter Icon
  • YouTube - White Circle
  • White Instagram Icon